Taksa

Paketa dhe ‘paqja’, ndryshimet fiskale që pritet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026

Nga Gazeta ‘SI’ – Në vitin 2026, qeveria do të risjellë një paketë të re fiskale, pas asaj të fundit, në 2023-shin.

Pas shumë debatesh dhe kritikash, qeveria ka vendosur të kompensojë fermerët me një normë 10% të vlerës së totalit të shërbimeve bujqësore të blera, në periudhë 6-mujore. Sipas llogarive, nga ky rimbursim fermerët do të përfitojnë 1.5 mld lekë në vit.

Ky është vendimi i parë i miratuar zyrtarisht, pjesë e Paketës Fiskale 2026.

Vendime të tjera, ende të pamiratuara përfshijnë një ndryshim në taksën e ndikimit në infrastrukturë. Qeveria parashikon të përjashtojë nga kjo taksë ndërtimet publike me funksione arsimi, shëndetësie dhe mbrojtje sociale. Ky përjashtim synon të ulë kostot për projektet publike, të përshpejtojë procedurat në nivel bashkish, dhe të orientojë burimet buxhetore drejt investimeve sociale me ndikim direkt në komunitet.

Risia më e madhe e paketës është futja e Deklaratës së Statusit të të Vetëpunësuarit në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat. Kjo deklaratë do të shërbejë për të identifikuar rastet kur individët që pretendojnë të jenë të vetëpunësuar, në fakt punojnë në kushte të ngjashme me punëmarrësit. Në këto raste, ata do të trajtohen si të punësuar të zakonshëm, me të gjitha detyrimet tatimore dhe kontributive përkatëse.

Një ndryshim tjetër, por më teknik është ai i në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” janë parashikuar disa ndryshime teknike dhe përditësime terminologjike, për ta përafruar me ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat. Termat “tatim mbi fitimin” dhe “tatim i thjeshtuar për biznesin e vogël” zëvendësohen respektivisht me “tatim mbi të ardhurat e korporatës” dhe “tatim mbi të ardhurat personale të biznesit”. Gjithashtu, në faturat ku blerësi është individ pa aktivitet tregtar, do të kërkohet emri, ID personale dhe adresa e saktë, ndërsa afati i transmetimit të faturës elektronike në sistem shtyhet me një ditë, nga e 10-ta në të 11-tën.

Ndërkohë vitin e ardhshëm pritet dhe fuqizimi i premtimit elektoral të qeverisë Rama, “Paqja Fiskale”.

Sipas ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, paqja do të “zhdukë” çdo borxh tatimor apo kamat vonesë 5 deri 10-vjeçare të bizneseve.

Po ashtu qeveria parashikon të vendosë një tatim-fitim fiks 15% mbi fitimin e 3 viteve të fundit. Këto biznese që pranojnë “paqen” nuk do të përballen me kontrolle tatimore. Nëse biznesi do të vendosë që do të deklarojë një fitim më të lartë se ai i dakordësuar me administratën tatimore, për fitimin shtesë, biznesi do të tatohet me 5%.

Ndërkohë, një miratim i mundshëm i draftit për tregtimin e kriptomonedhave, njoftuar nga AMF se do të hidhet në konsultim brenda këtij viti, do të shtonte një zë më shumë në të ardhurat tatimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë