Politike

Pakënaqësia e aleatëve dhe ku po shkon koalicioni PD-AN, pse Basha nuk ka luksin të merret me “humbësit” e vet

Ata humbën në zgjedhjet e 25 Prillit me performancë të dobët dhe rezultate jo të pritshme.

Por janë sërish në Kuvend falë përfshirjes në vende të sigurta në listën e PD-së.

Megjithatë, aleatët e drejtojnë gishtin tek Lulzim Basha si humbësin e madh të zgjedhjeve, edhe për një arsye; se nuk menaxhoi si duhet fushatën para zgjedhore, dhe atë pas.

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule e konsideroi si dështimin më të madh të PD-së rezultatin e 25 prillit duke bërë përgjegjës Bashën.

“Ne dështuam jo vetëm që të arrinim fitoren, po edhe të sjellim atë që pritej. Ishte një nga rastet, që kam qenë në vijën e parë pothuajse si kandidat dhe e konsideroj dështimin historik të këtyre 30 viteve”, tha Dule.

Sipas tij, Basha nuk i thirri asnjëherë aleatët në zgjedhjet e 25 prillit dhe nuk bëri fushatë, duke e akuzuar atë për shmangien e tyre. Kjo sipas tij solli kosto në zgjedhje për vetë aleatët.

“Takimi i fundit mes Bashës dhe aleatët ka qenë në shkurt të këtij viti, më pas nuk kemi pasur. Kjo ka reflektuar dhe sa i përket më pas edhe votave në zgjedhjet e 25 prillit”, vijoi ai.

Dule ishte aleati që mori më pak vota në zgjedhjet e 25 Prillit. Ai është deputeti i vetëm në Kuvend që ka mbështetjen më të vogël, vetëm 848 vota.

PBDNJ në zgjedhjet e 2013-ës kishte 14.722 vota.  Zgjedhjet e fundit, PBDNJ garoi me tre kandidatë dhe mori në gjithë  Shqipërinë vetëm 2.702 vota.

Pakënaqësi ndaj Bashës ka shprehur edhe kryetari PAA-së, Agron Duka.  

“Ne direkt pas zgjedhjeve nuk kemi asnjë lloj bashkëpunimi me PD. Mbase ato duke pasur problemet brenda vetes, nuk e gjejnë kohën për aleatët”, është shprehur Duka, një qëndrim ky i vijuar edhe nga Dashamir Shehi.

Ky i fundit ka deklaruar prej kohësh se të “vegjlit” po përpiqen që të krijojnë një grup parlamentar më vete, që sipas rregullores duhen 7 aq sa janë edhe aleatët në listat e PD-së. Por diku mes aleatësh ka një problem.

“Nëse do të rri unë aty në rresht te grupi i PD-së i bie i 55 ose i 56-ti në radhë aty për të fol. Ndërsa në grup tjetër të jepet mundësia për të fol ty ku realisht mendojmë se mund të kontribuojmë. Për të pasur më shumë hapësira për të debatuar, ngritur zërin dhe kundërshtuar”, është shprehur Shehi.

Fatmir Mediu në anën tjetër është “zhdukur” nga qëndrimet e tij politike për shkak të problematikave që ai ka me cështjen e hapur ndaj tij “Gërdeci” ndërsa i vetmi që duket se ka ruajtur një urë komunikimi me Bashën është Shpetim Idrizi, por edhe ai i ka bishtnuar situatës në të cilën ndodhet sot PD-ja dhe raportit të akullt që ka krijuar Basha me aleatët.

Partitë aleate të PD-së kanë përfituar 7 mandate nga lista e PD (PDIU – 3, PR – 1, PAA – 1, PBDNJ – 1, LZHK – 1), ndërkohë që kandidatët e këtyre partive që morën mandat kanë arritur të sigurojnë në nivel kombëtar 46,835 vota.

Më shumë se aq vota ka siguruar vetëm PR-ja në zgjedhjet e 2013-ës konkretisht 52.128 vota për të vijuar me PDIU-në që zgjedhjet parlamentare të 2017-ës mori si forcë politike 76.069 vota një rezultat shumë më i mire se në 2013-ën me 44.957 vota.

Sipas një analizë të brendshme të PD-së, në përllogaritje nuk është përfshirë numri i votave që kanë marrë kandidatët e PD, që për efekt koalicioni u regjistruan si të partive aleate në KQZ, përjashtuar kandidatin e PDIU-PD në Vlorë dhe kandidatin e LZHK-PD në Elbasan, që ishte kandidat i përbashkët, votat e të cilit i janë llogaritur PDIU dhe LZHK.

Pa votat e tyre, PDIU do të zbriste nga 19,000 vota në 15,726 vota, ndërsa LZHK do të zbriste nga 6,564 vota në 5,436 vota.

Nga analiza e PD-së rezulton se aleatët përfaqësohen ne Kuvend me 7 mandate por me rreth 47 mijë vota gjithsej.

Analiza e brendshme në parti nuk ndau as aleatët për përgjegjësi. Por deri tani, Lulzim Basha nuk ka ndërmarrë veprim konkret, minimalisht një takim mes tyre.

Sepse ajo që sa duket po i volit më shumë atij është që Dule, Duka, Shehi apo edhe Idrizi të jenë më mire nën “vathen” e PD dhe të pakënaqur sesa jashtë saj me numra minus për grupin.

Një gjendje pezull me ata është më e mirë sesa varianti më i keq; shkëputja prej tyre.  PD-ja nuk e ka luksin këto kohë, kur mes veti nuk ka as deputetët “rebele” apo e thënë ndryshe ata që i janë bashkuar “Foltores” qoftë edhe për paketën kushtetuese. Sali Berisha paralajmëroi se nuk do të votojë vettingun e “Lulzim Bashës”. Dhe jo vetëm ai...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë