Ekonomi

Pak opsione për të luftuar rreziqet ekonomike botërore

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde tha se një dekadë e luftës kundër krizave ekonomike i ka lënë politikëbërësit me më pak mundësi në stimulimin e politikave ekonomike; e kjo teksa shqetësime të reja shfaqen siç është shpërthimi i koronavirusit.

Lagarde shprehet se teksa ekonomia e brendshme e Eurozonës mbetet “e pamposhtur”, kërcënimet e vazhdueshme globale mund të dëmtojnë stabilizimin e fundit të aktivitetit ekonomik pasi ka ende pasiguri. Paralajmërimi erdhi vetëm disa orë pasi të dhënat treguan një rënie të madhe në kërkesat e fabrikave në Gjermani, duke treguar se recesioni prodhues në ekonominë më të madhe të Evropës është larg të mbaruarit.

“Trendet kryesore ekonomike dhe trashëgimia e asaj çka mbeti nga kriza financiare kanë ulur normat e interesit”, tha Lagarde para ligjvënësve të Parlamentit Evropian të enjten. “Ky mjedis me norma të ulta interesi dhe inflacion të ulët ka zvogëluar ndjeshëm hapësirën e mundësive që BQE  dhe bankat e tjera qendrore, në të gjithë botën,  mund të përdorin për të lehtësuar politikën monetare përballë një rënieje ekonomike”, u shpreh ajo.

Zëvëndëspresidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Luis De Guindos, tha në një event tjetër në Madrid se efektet anësore nga politika të tilla si normat negative të interesit dhe rritja e ofertës së brendshme të parasë po bëhen më të dukshme.

Nisni të shpenzoni

Porosia e Lagard u drejtohej dhe qeverive të cilat sipas saj duhet të ndërhyjnë me mbështetje përmes politikave fiskale. “Ne kemi treguar qartë se aty ku ka hapësirë fiskale do të ishte e përshtatshme për politikanët ta shfrytëzonin atë hapësirë në mënyrë që të mbështesin ekonominë e Eurozonës”, tha ajo, duke mos përmendur vende specifike.

Lagarde tha se ndryshimet strukturore në ekonominë globale – si popullsia në plakje dhe rënia e trendit rritës të ekonomisë – do të thotë se është koha e duhur që BQE të nisë një rishikim për situatën në të cilën ndodhemi. Ndërsa qëllimi i inflacionit “poshtë, por afër, 2%” do të jetë fokusi kryesor. Gjithashtu presidentja tha se ndryshimi i klimës, teknologjia dhe financat do të ndikojnë tek çmimet.

Përhapja e koronavirusit është bërë shqetësimi emergjent për disa drejtues të bankave qendrore. Banka e Tajlandës, të mërkurën, uli normën e saj të interesit në një rekord të ri, ndërsa guvernatori i Filipineve la të kuptohet se një veprim i ngjashëm ishte i afërt edhe në vendin e tij.

Biseda dyorëshe e Lagardit me ligjvënësit preku dhe temën e largimit të Anglisë nga Bashkimi Evropian, një ngjarje për të cilën ajo tha se duhet të jetë shtysa që BE të zhvillojë tregun e vet të përbashkët të kapitalit. Brexit ngre disa pikëpyetje për rolin e Londrës, si qendër e madhe financiare në financimin e kompanive europiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë