Futboll

Pak Ibrahimoviç dhe pak Mançini, goli me thembër i Marvin Çunit çmend Italinë

Gazeta Si – Krahasim me emra të mëdhenj të futbollit botëror, si Zllatan Ibrahimoviç dhe Roberto Mançini, autorë golash fantastikë. Mes tyre edhe gola me thembër, ngjashëm me atë që sulmuesi kuqezi, Marvin Çuni, shënoi ndaj Empolit.

Pikërisht ky gol ka marrë gjithë vëmendjen në Itali. Të gjithë duartrokasin veprimin e bukur teknik të lojtarit shqiptar, që zhbllokoi shifrat me atë mënyrë gjeniale. Instikti i një sulmuesi që ka klas në këmbët e tij.

Si për ironi të fundit, Çuni ia shënoi atë gol Berishës, i cili është kritikuar dhe është vlerësuar me notën 5, sepse e preku topin dhe mund ta ndalte. Ndoshta portieri kuqezi nuk ka ‘dashur’ t’ia prishë atë magji Çunit, aq më tepër që ishte edhe goli i parë në Serinë A për sulmuesin e Frozinones.

Jo më kot trajneri Silvinjo e ka grumbulluar 22-vjeçarin e rritur në shkollën e Bajernit. Marvin Çuni është vërtet një element i rëndësishëm, që do t’i shërbejë Kombëtares në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë