Futboll

Pak gola dhe kurrë vendimtar, Mesi parisien jashtë çmimeve

Gazeta Si – Pas 9 muajsh te PSG, Mesi i ri ende nuk ka lindur. Llogaritë për ish-yllin e Barcelonës nuk dalin. Ose mund të dalin pjesërisht dhe jo domosdoshmërisht në fushë. Shumë pak gola dhe asnjëherë vendimtar për skuadrën.

‘Le Parisien’ dhe ‘L’Equipe’ i kanë kushtuar vëmendje argjentinasit në numrin e sotëm. Ato evidentojnë faktin se Mesi është i 63-ti në klasifikimin e shënuesve të Ligue 1. Për këtë arsye, ai është snobuar nga kolegët e tij të kampionatit, të cilët e kanë lënë jashtë çmimeve individuale të sezonit.

Lionel Mesi me fanellen e PSG-se. Gazeta Si, 11 maj 2022

Një dështim ky për 7 herë fituesin e “Topit të Artë” sa i takon fushës. Lionel Mesi ndërkohë është bërë imazh i turizmit në Arabinë Saudite. Një bashkëpunim që u zyrtarizua të shtunën e kaluar dhe që ngriti diskutime në Francë.

PSG-ja është në pronësi të emirit të Dohas dhe me Riadin nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie shumë të mira. Gjithsesi, në Paris ishin në dijeni edhe para se Mesi të trasferohej me parametra zero nga Barcelona. Kalimi i tij te PSG u konsiderua një goditje e madhe. Mesi u prit në mënyrë madhështore nga tifozët. Por 9 muaj më pas lindi Mesi në versionin PSG.

E thonë numrat: vetëm 4 gola në kampionat. Më shumë se Mesi ka shënuar Markuinjos (5), i cili është mbrojtës. Në Champions argjentinasi ka shënuar 1 gol më shumë, por vetëm në fazën me grupe. Në dy ndeshjet ndaj Realit ai mbeti thatë dhe PSG u eliminua në fazën e 1/8-ve.

Në Europë asnjë asist, ndërsa në kampionat të paktën ka dhënë 13 asiste, por sërish mbetet prapa Mbape (14). Për “Le Parisien”, ky është bilanci më i keq edhe në krahasim me rivalin e përjetshëm Kristiano Ronaldo. Portugezi, edhe pse 37 vjeç, është në podin e bomberave të Premier Ligës (18 gola). Mesi jo.

Golat mund të ishin më të shumtë në kampionat, nëse Mesi nuk do të përndiqej nga fati. Ai ka goditur 10 herë shtyllën, një rekord ky. Por që ka qenë një vit i dështuar kuptohet edhe nga goditjet e dënimit, specialiteti i tij. Mesi ka shënuar 39 gola me goditje dënimi në karrierë, 0 në Ligue 1.

Të dielën, ylli argjentins nuk do të jetë mes lojtarëve më të mirë që do të marrin çmime nga ‘UNFP’, sindikata e lojtarëve. Mesi është lënë jashtë nga kolegët e tij, që zgjedhin direkt kandidatët. ‘Le Parisien’ thekson se ai po paguan një ambientim shumë më të vështirë nga sa ishte parashikuar. Kjo vjen edhe nga taktika e Poketinos, shpesh në të djathtë të sulmit, që nuk është pozicioni ideal për 34-vjeçarin.

Megjithatë, jo gjithçka është për t’u harruar. Pasi ka ardhur Mesi, PSG ka shtuar 20 milionë ndjekës në Instagram. Prej muajit gusht, ai shet 60% të fanellave në dyqane të ndryshme të klubit. Me të janë shtuar edhe kërkesat e sponsorëve, diçka pozitive në kohë Covid-i.

Mesi ambasador i turizmit ne Arabine Saudite. Gazeta Si, 11 maj 2022

Pavarësisht statistikave në rënie, Mesi mbetet i rëndësishëm sa i takon imazhit. Lojtari simbol i klubit të emirit të Katarit është bërë ambasador i turizmit në Arabinë Saudite. Dy vende që vetëm kohët e fundit kanë nisur dialogun, pas një periudhë të gjatë ‘ngrirjeje’. Në pritje të Mesit të ri, magjia e tij nuk tradhton të paktën jashtë fushe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë