Ngjarje

Pajisje antidronë dhe kontrolle të imtësishme / Masa drastike në Tiranë për ndeshjen, rrugët që bllokohen

Nga Gazeta Si- Tirana do jetë në shtetrrethim për disa orë për shkak të ndeshjes së shumëpritur Shqipëri-Serbi. Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri – Serbi”, që do të zhvillohet sonte në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”, Tiranë.

Gjatë ditës së sotme, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.

Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.

Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.

Gjithashtu, policët do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.

Gjithashtu, policia ka njoftuar se do të përdoren pajisje anti-dronë nëse dikush do të tentojë të ngrejë dronë në perimetrin e sigurisë (përrreth stadiumit “Arena Kombëtare”).

Ndërkohë, policia rikujton se veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje historike, Policia ka angazhuar qindra punonjës policie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë