Nuk është sekret se gjumi është i rëndësishëm për shëndetin tuaj të përgjithshëm, por mungesa e gjumit mund të ketë efekte thelbësore në zemrën tuaj, tregon një studim i ri. Studiuesit thanë se njerëzit me pagjumësi kanë më shumë gjasa të kenë një atak kardiak.
Meta-analiza e publikuar të premten në revistën Clinical Cardiology, sugjeron se lidhja e mundshme midis pagjumësisë dhe rrezikut të sulmit në zemër është më e fortë tek gratë.
Martha Gulati, drejtoreshë në Institutin e Zemrës Cedars-Sinai Smidt, tha se shumica e pacientëve të saj janë gra dhe se pagjumësia është një faktor rreziku i theksuar për gratë që kanë pasur ndonjë formë të sëmundjes ishemike të zemrës.
“Pagjumësia në fakt është mjaft e zakonshme. Ne e shohim ndoshta në 1 në 10 pacientë në Shtetet e Bashkuara”, tha Gulati, e cila nuk ishte e përfshirë në studimin e ri.
“Kam përshtypjen se pothuajse të gjithë përjetojnë pagjumësi në një moment të jetës së tyre. Vlerësimi është se 1 në 2 të rritur e përjetojnë atë në një moment të jetës së tyre, ndoshta në afat të shkurtër për shkak të momenteve stresuese”.
Për analizën e tyre, studiuesit nga institucionet mjekësore në Egjipt, Arabinë Saudite dhe Pakistan, si dhe Universitetin Mjekësor SUNY dhe Harvard e përkufizuan pagjumësinë si një çrregullim gjumi me tre simptoma kryesore:
-Vështirësi për të fjetur
-Vështirësi për të qëndruar në gjumë
-Zgjimi herët dhe pamundësia për të fjetur përsëri
Analiza përfshinte të dhëna për më shumë se 11 vjet nga 1.184.256 të rritur në 6 vende të botës.
Nga pjesëmarrësit, 153,881 kishin pagjumësi dhe 1,030,375 jo. Studiuesit zbuluan se ata me pagjumësi kishin 1.69 herë më shumë gjasa për të pasur një atak në zemër sesa njerëzit pa pagjumësi.
Studimi zbuloi gjithashtu një lidhje midis rritjes së rrezikut të sulmit në zemër dhe sa kohë flinte një pjesëmarrës çdo natë. Ata që flinin pesë orë ose më pak kishin 1.56 herë më shumë gjasa të kishin një atak në zemër sesa njerëzit që flinin shtatë ose tetë orë.
Autorët e studimit thanë se pagjumësia duhet të konsiderohet një faktor rreziku në udhëzimet për parandalimin parësor të sëmundjeve kardiovaskulare.
“Tani ne kemi prova se gjumi është ilaç”, tha autori i studimit, Hani Aiash, kardiolog.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




