Treg

Pagesat e vonuara, fermerët nuk mbrohen nga ligji

Vonesa në shlyerjen e pagesave nga ana e shoqërive tregtare për prodhimet u shkakton dëme të mëdha fermerëve, që në disa raste kushtëzojnë edhe vijueshmërinë e aktivitetit të tyre. Për më tepër, kur këto pagesa kryhen, fermerët janë të përjashtuar nga përfitimi i kamatë-vonesave.

Përplasjet për këto pagesa përfundojnë shpesh nëpër salla gjyqi, si në rastin e fermerëve të duhanit në zonën e Dumresë, që kanë rreth 1 mld lek pa marrë që nga 2015-2016, pasi kompania “Mika Korça” shpalli falimentin.

Por, të pambrojtur nga legjislacioni janë edhe fermerët e tjerë në të gjithë vendin. Ata nuk janë pjesë e ligjit për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare. Përfshirjen e tyre në këtë ligj e ka propozuar në Kuvend deputeti, Erion Braçe.

Braçe propozon ndryshimin e disa neneve me qëllim rregullimin e çështjes së kryerjes me shumë vonesë të pagesave, që rrjedhin nga transaksionet tregtare mes prodhuesve bujqësore dhe ndërmarrjeve tregtare që grumbullojnë, përpunojnë, eksportojnë produkte bujqësore.

“Mos shlyerja në kohë e detyrimeve për prodhuesit bujqësore krijon jo vetëm një zinxhir të vonesave në pagesa, por ndikon drejtpërdrejt në ngadalësimin, deri në pamundësi financiare të vijimit të aktivitetit bujqësor e blegtoral në sezonet vijuese”, shkruan në relacionin shoqëruar deputeti socialist.

Braçe argumenton se përfshirja e prodhuesve bujqësore e blegtorale nën mbrojtjen e këtij ligj do të nxisë formalizimin e prodhuesve bujqësore e blegtoralë, si dhe formalizimin e çdo transaksioni në tregjet e këtyre produkteve.

Ligji për pagesat e vonuara përcakton afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatave ligjore për pagesat e vonuara, në rastet e furnizimit me mallra apo shërbime nga ana e ndërmarrjeve tregtare kundrejt ndërmarrjeve të tjera tregtare dhe autoriteteve publike. Por, në ligji nuk përfshin fermerët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë