Para

‘Pagesa nga shtëpia’, në 9 muaj në Shqipëri qarkulluan 17.6 mld euro online

Nga Gazeta 'SI' - Në 9 muaj në Shqipëri u shpenzuan më shumë se 17.3 mld euro online.

Shifrat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se nga janari në shtator 2024, shqiptarët kryen 6.8 mln transaksione virtuale, me atë që njihet si homebanking, pagesat nga shtëpia. Gjatë muajit korrik janë kryer më shumë pagesa ,2.2 mld euro.

BSH raporton se me anë të terminaleve POS, pagesa fizike por me kartë, janë kryer mbi 138 mld euro transaksione, për të njëjtën periudhë.

Në fund të shtatorit 2024, në Shqipëri ishin aktive më shumë se 1.52 mln karta, nga të cilat 121.793 ishin krediti dhe pjesa tjetër debiti.

Sipas Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit, 40% e shqiptarëve pranojnë se kanë bërë një blerje online, produkt ose shërbim gjatë 2023-shit. 89% e këtyre blerjeve ka qenë veshje ose aksesore, ndërsa shërbimet e dërgimit të ushqimit në shtëpi rreth 40%.

Ndonëse shifrat tregojnë ecuri pozitive të pagesave online që prej vitit 2015, rritja e fortë u vu re gjatë dhe pas pandemisë. Tregu online është tashmë fokusi kryesor i bizneseve shqiptare, ndonëse pagesat me cash mbeten të larta.

Për të rritur përfshirjen e qytetarëve në sistemin bankar ka ndërhyrë dhe qeveria. Të gjithë qytetarët që marrin ndihmë ekonomike apo pension kanë një llogari bankare pa kosto, ku do të aksesojnë pagesën e tyre.

Edhe fushata kundër informalitetit pritet të sjellë një rritje te kartave bankare dhe pagesave me to.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë