Biznes

Pagat referencë në turizëm mund të rrisin çmimet. Në 2008-n, Kushtetuesja e rrëzoi një vendim të ngjashëm

Nga Gazeta ‘SI’ – Pagat referencë për të punësuarit në turizëm, të vendosura nga qeveria, janë pritur me kritika nga ekspertët fiskalë.

Udhëzimi parashikohet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në kostot e bizneseve, çmimet që u ofrohen qytetarëve dhe në tregun sezonal të punësimit.

Në një analizë, ekspertët e qendrës ALTAX, shpjegojnë se bizneset e vogla janë të detyruara të rihsikojnë marrëveshjet e punësimit për t’ju shmangur penaliteteve duke sjellë rritje të kostove operative, zvogëlim të përkohshëm të marzheve të fitimit; shtyrje të kontraktimeve ose formalizimit të punonjësve sezonalë.

Të detyruar për të deklaruar paga më të larta, bizneset përballen me dilemën e çmimeve dhe rentabilitetit. Në rastet kur nuk mund të ruajnë marzhet, rritja e kostove të punës do të transferohet në rritje çmimesh për konsumatorin, veçanërisht në segmente si hoteleria dhe restorantet në zonat me kërkesë të lartë. Kjo krijon: presione inflacioniste në sektorë të caktuar të shërbimeve; shtim të informalitetit alternativ (si pagesa në të zezë të diferencës mbi pagën e deklaruar).

Ekspertët analizojnë se ndryshimi i ri, edhe pse jo ligjor po ndikon mënyrën se si punëtorët negociojnë kontratat dhe si punëdhënësit strukturojnë marrëdhëniet e punës. Rritet rreziku që në mungesë të kapaciteteve financiare për t’iu përgjigjur nivelit indikativ, disa punëdhënës të shmangin deklarimet fare, duke e çuar në efekt të kundërt nga qëllimi fillestar.

Udhëzimi nuk llogarit diferencat sezonale dhe gjeografike të bizneseve. P.sh referenca nuk mund të jetë e njëjtë për një kamarier apo pastrues në Theth, Tiranë dhe Himarë.

ALTAX rikujton një vendim të qeverisë në 2008-n, kur u vendos një pagë referuese për tatimin e profesionistëve të lirë dhe të vetëpunësuarëve. VKM-ja u hodh poshtë nga gjykata Kushtetuese dhe Administrative si cënim i të drejtave ekonomike dhe barazisë në taksim.

Ekspertët shqetësohen për përsëritje të precedentit të 2008-s që do të kërcënonte sistemin tatimor dhe klimën e biznesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë