Nga Gazeta ‘SI’ – Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri ishte 61.613 lekë, për tremujorin e tretë 2022. Nga një vit më parë ajo është rritur me 9.2%.
Nga tremujori paraardhës ajo është rritur me më pak se 1 mijë lekë, e ndikuar nga rritja e pagesës për të punësuarit në shtet. Sipas Instat, në raport tremujorësh, punonjësit e sektorit privat nuk kanë pasur rritje page.

Të punësuarit në sektorin e aktiviteteve financiare vijojnë të kenë pagën më të lartë në vend, 93% më të lartë se mesatarja, ose 120 mijë lekë në muaj. Ata të punësuar në bujqësi e peshkim, më të ulëtën, me 33% të mesatares, 40 mijë lekë në muaj. Gjithsesi, nga tremujori i dytë në atë të tretë të këtij viti, punonjësit e aktiviteve financiare, janë paguar rreth 10 mijë lekë më pak.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto në Forcat e Armatosura ka rritjen më të madhe prej 18.5 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-profesioni i Manaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë 4.5 %.
Niveli i papunësisë ra me 2.8%
Për të njëjtën periudhë, niveli i papunësisë në vend ra në 10.6%, duke rënë me 2.8% më raport vjetor dhe 2.4% nga tremujori paraardhës. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10% dhe për gratë 11.3%.

6.5% e të rinjve që raportohen ekonomikisht jo aktivë janë të dekurajuar, me rritje 0.2% nga viti i shkuar. 9% e popullsisë totale ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Nga viti i shkuar, Instat raporton reduktim të të rinjve jo aktivë ekonomikisht me rreth 5%.
Ndërkohë, pjesëmarrja në forcat e punës është rritur me 3.3 pikë përqindje nga viti në vit dhe 0.6 pikë përqindje në raport tremujorësh.
Treguesi i punësimit të të rinjve është rritur me 1.4% nga tremujori i tretë 2021 në atë të 2022-shit dhe ka rënë me 0.4% nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë të këtij viti.
Në terma vjetorë, punësimi ulet me 0.2% në sektorin e industrisë, rritet me 4.7 % në sektorin e shërbimeve dhe me 6.5 % në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2022, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2.6 %. Punësimi u rrit me 3.9% në sektorin e bujqësisë dhe me 4% në sektorin e shërbimeve dhe u ul me 2.3 % në sektorin e industrisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




