Ekonomi

Pagat e rritura dhe produktiviteti i ulët po rrisin kostot e punës

Nga Gazeta ‘SI’ – Produktiviteti i ulët po rrit kostot e punës në Shqipëri.

Një raport i Bankës së Shqipërisë, referuar mbylljes së vitit 2024, thotë se si pasojë e produktivitetit të ulët, kostot e punës janë rritur me 8% në fund të vitit nga 1.1% në fillim të vitit.

Ndërkohë, rritja vjetore e pagës nominale raportohet 9.5% për të njëjtën periudhë. Përshpejtimi i pagës vihet re kryesisht te sektorët me paga nën nivelin mesatar, si “Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor” dhe “Ndërtimi”.

Kostot e tjera prodhuese kanë vazhduar të rriten, por me ritme më të ngadalta gjatë tremujorit të katërt

Një rrezik i tillë është pësëritur disa herë nga vetë Banka, por edhe autoritetet e huaja. Në janar të këtij viti, FMN analizoi se një rritje e pagës pa produktivitet, në rrethanat e mungesës së fuqisë punëtore, do të rrisë kostot e punës.

“Ndërsa Shqipëria mbetet konkurruese si destinacion turistik, presionet për konkurrencë më të gjerë,  do të rriten nëse rritja e pagave vazhdon të tejkalojë rritjen e produktivitetit, edhe pse mungesa e fuqisë punëtore nga një plakja e popullsisë dhe migrimi vazhdojnë të ushtrojnë presione rritëse mbi kostot e punës”, thuhej në dokumentin e Fondit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë