Treg

Pagat dhe makineritë rrisin kostot e ndërtimit, por çmime e materialeve bien

Nga Gazeta ‘SI’ – Kostot e ndërtimit janë rritur me 1.4% gjatë muajve të verës, sipas të dhënave të INSTAT-it. Të dhënat tregojnë se ritmi i rritjes së çmimeve në sektorin e ndërtimit nuk është më aq i lartë sa në periudhat e mëparshme.

Në analizën vjetore të grupeve kryesore, rritja më e madhe gjatë tremujorit korrik–shtator vërehet tek shpenzimet për paga, të cilat janë rritur me 6.6%. Ky është një sinjal i qartë i shtimit të kostos së fuqisë punëtore në sektor. Pas pagave, në rritje janë edhe shpenzimet për makineri dhe kostot e tjera, secila me 2.4%, ndërsa shpenzimet për transport janë rritur me 1.7%.

Në të kundërt, shpenzimet për materiale kanë shënuar rënie prej 0.6%, duke reflektuar ulje çmimesh brenda këtij grupi. Brenda tij, materialet e ndërtimit dhe materialet elektrike e të komunikimit kanë pësuar rënien më të madhe, të dyja me nga 0.6%, ndërsa materialet hidro-sanitare dhe ato të ventilimit janë ulur me 0.2%.

Në krahasim tremujor, indeksi është rritur me 0.4%. Rritja vjen kryesisht nga shpenzimet për paga, të cilat janë shtuar me 1.1%, si dhe nga transporti me 0.8% dhe makineritë me 0.5%. Kostot e tjera janë rritur lehtë, me 0.1%.

Edhe në këtë analizë, materiali mbetet grupi i vetëm me rënie — ndonëse të vogël — prej 0.1%. Brenda këtij grupi, materialet e ndërtimit kanë rënë me 0.3%, ndërsa materialet elektrike dhe të komunikimit janë rritur me 0.6% dhe ato hidro-sanitare e të ventilimit me 0.1%.

Indeksi mat ndryshimet e çmimeve të materialeve të ndërtimit, fuqisë punëtore dhe shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një ndërtese tip (8–10 kate). IKN është një tregues i rëndësishëm ekonomik për sektorin e ndërtimit dhe përdoret si deflator për llogaritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe indekseve të ndryshme të volumit. Ai shërben për institucionet qeveritare, Bankën e Shqipërisë, organizatat joqeveritare, si edhe institucione ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë