Nëse je ende duke vendosur për studimet e larta, harroje pasionin për artet, peshkimin, veterinarinë, etj. Zgjidh të punosh në fushën e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit si banka, etj ose në fushën ligjvënëse.
Janë sektorët që aktualisht kanë pagat më të larta dhe me trend rritës në kohë. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2018, është 52.312 lekë, duke u rritur me 3,4 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Gjatë tremujorit të katërt 2018, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 113,4 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupsektorin e Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit është 28,6 % më e ulët.

Të dhënat tregojnë se gjatë tremujorit të katërt 2018, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin Arte, argëtim dhe çlodhje është rritur 10,3 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa ndërtimi është i vetmi grup-aktivitet që ka ulje prej 1,2 %.
Gjatë tremujorit të katërt 2018, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 94,8 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit është 40,4 % më e ulët.
Paga për grup-profesionin e Teknikëve dhe specialistëve në zbatim ka rritjen më të madhe prej 7,1 % gjatë tremujorit të katërt 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa për grupprofesionin e të punësuarve në Forcat e armatosura ka uljen më të madhe, prej 2,2 %.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




