Treg

Paga të larta por sërish 75% e hoteleve në Shqipëri nuk kanë punonjës. Si mund të zgjidhet kriza?

Nga Gazeta 'Si'-Edhe pse hoteleritë pretendojnë se pagat janë rritur vazhdimisht, madje ndonjëherë shtrihen në gjithë vitin, ende nuk po munden të gjejnë fuqi punëtore.

Sipas një ankete të zhvilluar nga PNUD, me bizneset e hotelerisë gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, 56% e tyre renditën si problem kryesor mungesën e fuqisë punëtore dhe 27% pohuan se kanë problem me stafin e pakualifikuar.

Në fakt, 75% e njësive akomoduese të anketuara pohuan se, në pikun e sezonit turistik do të kishin nevojë përafërsisht për 35% më shumë punonjës.

Turizmi u braktis nga stafet në kulmin e sezonit të tij kur të gjithë këta vendosën kolektivisht të linin vendet e punës, me naze që erdhën si pjesë e rimëkëmbjes ekonomike post-pandemike.

Sipas anketës, punëtorët e kualifikuar që migrojnë, kryesisht sezonalisht, për të punuar pikërisht në biznesin e turizmit në BE dhe vendet përreth, janë arsyeja kryesore për mungesën e fuqisë punëtore në këtë sektor.

“Përfaqësuesit nga hotelet theksojnë se ka mungesë të madhe të fuqisë punëtore, veçanërisht në postet sanitare, të cilat më parë plotësoheshin nga gratë e moshës së mesme që tani po dalin në pension. Pavarësisht rritjes së pagave vitet e fundit, të rinjtë nuk e favorizojnë këtë formë të punës”, thekson anketa.

Shumica e hoteleve të anketuara pretendojnë se paguajnë “paga më të larta se tregu” (53%) dhe “ofrojnë rroga në të gjithë vitin” pavarësisht sezonalitetit (45%) për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore.

5% e hoteleve të anketuara i kanë hedhur sytë nga tregjet ndërkombëtare të punës, kryesisht nga Azia Juglindore, për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore.

Megjithatë, duket se ka mosmarrëveshje mbi efikasitetin e kësaj zgjidhjeje.

Shumica argumentuan se punësimi i punonjësve të huaj është joproduktiv për shkak të kostove më të larta të strehimit si dhe vështirësitë që ata hasin me të mësuarit e zakoneve dhe mënyrave të punës vendase.

“Fakti që punëtorët e huaj e përdornin rëndom Shqipërinë si trampolinë në rrugën e tyre drejt BE-së apo vendeve të tjera perëndimore paraqitet si një problem tjetër, duke çuar përfundimisht në të njëjtin sfidë si me punëtorë vendas”, vijon më tej anketa.

Por si mund të zgjidhet kriza e punonjësve tani që na ndajnë vetëm disa muaj nga sezoni turistik?

Nëse hedhim dhe një sy nga bota, zgjidhjet për këtë situatë sipas Zak Topuzit, kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit, nuk janë të pakta.

Madje, sipas tij, disa politika duhet të ishin marrë ngahera duke marrë në konsideratë varësinë e ekonomisë shqiptare nga sektori i turizmit.

"Nëse hedhim dhe një sy nga bota, zgjidhjet për këtë situatë nuk janë të pakta'-thotë Zak Topuzi, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit

“Duhet të ketë politika subvencionuese për të zgjatur sezonin në 8 muaj si dhe 4 muaj subvencionim page dhe sigurime shoqërore në zonat bregdetare”, thotë Topuzi për Gazetasi.al ndërsa ndërmend shembullin e Greqisë e cila e ka aplikuar prej vitesh tashmë këtë metodë.

Mandej ai shton se duhet të ketë politika subvencionuese edhe për pensionistët nga të ardhurat e sindikatave apo pensioneve për pushime jo vetëm në periudhat e pikut të sezonit.

“Politika subvencionuese gjithashtu duhet të ketë edhe për nxënësit e shkollave. Ata duhet të jenë në lëvizje për të njohur resurset dhe atraksionet jo vetëm të vendit por edhe të Kosovës”, thotë më tej ai për Gazetasi.al teksa shton se kjo do të mbante gjallë hotelet me 1-3 yje, bujtinat dhe agrobiznesin në të gjithë territorin e vendit.

Topuzi i mëshon fort dhe rëndësisë për të patur stafe të trajnuara.

Ndërtimi i hoteleve me kapacitete të mëdha dhomash dhe me kompleksitet shërbimesh, Beach Bare-, Restorante të dedikuara, Agrobiznese, Bar-e & Klube Nate, po nxit rritjen e standardeve dhe cilësinë e shërbimit. Zhvillimi i vrullshëm ka bërë që një pronar apo të afërmit e tij, nuk mund të jenë të aftë të drejtojnë me sukses, pa patur fillimisht një përgatitje profesionale.

Sipërmarrësit po tentojnë gjithnjë e më shumë të angazhojnë staf të dedikuar, të trajnuar dhe me përvojë në këtë sektor. Kjo ka bërë të mundur aktivizimin e profesioneve të reja si: menaxher marketingu, SPA apo shitje, bartender, somelier, etj”, mbyll në fund Topuzi duke shtuar se është krijuar një situatë emergjente për burime njerëzore në këtë sektor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë