Financa Personale

Paga mesatare në rënie, informacioni dhe komunikimi kanë goditjen më të madhe

Paga mesatare bruto është ulur me 0.5% nga tremujori i dytë 2021 në të tretin duke zbritur në 56.435 lekë nga 56.710 lekë që ishte.

Në raport vjetor, nga e njëjta periudhë e 2020-s, paga mesatare bruto është rritur me 6.9%.

Gjatë të njëjtit tremujor, sektori financiar ka pagë më të lartë për një të punësuar deri në 92.5% më e lartë se sa mesatarja kombëtare, ndërsa punonjësit e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit është më e ulëta, 36.9% nën mesatare.

Por rritjen më të madhe të pagës e ka pasur tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 11.4%. Rritja më e vogël ka ndodhur në ndërtim me vetëm 3.8%.

Punonjësit e informacionit dhe komunikimit u përballën me ulje të pagës nga 88.3 mijë lekë në tremujorin e dytë 2021, në 85.2 mijë lekë në tremujorin e tretë 2021. Jo shumë normale, duke parë se më herët, kjo fushë ka qenë ndër më të paguarat.

Në ndarjen e profesioneve, menaxherët vazhdojnë të kenë pagën më të lartë, 70% mbi mesataren, ndërsa profesionet elementare atë më të ultën, në 38.7% nën mesatare, por paga për këta punonjës ka pasur rritjen më të madhe nga e njëjta periudhë e 2020-s, me 10.1%. Forcat e Armatosura kanë pasur rritjen më të vogël, në 1.9%.

Në vlerë parash, sipas Instat, ligjvënësit, nënpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë kanë pagën më të lartë mujore për tremujorin e tretë 2021, në vlerën e 95.959 lekëve. Ndjekur nga specialistët me arsim të lartë, në 76.460 lekë.

Paga mesatare bruto përfshin pagën në sektorin shtetëror, që në fund të shtatorit 2021 rezulton 67.538 lekë dhe pagën në sektorin privat që për te njëjtën periudhë rezulton 51.305 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë