Paga mesatare bruto gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 u rrit me 5.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, duke arritur në vlerën e 56.019 lekëve.

Për periudhën janar-mars të këtij viti, punonjësit e sektorit financiar kanë pagën më të lartë bruto, duke kaluar mesataren kombëtare me 81.2%. Punonjësit e sektorit të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit rezultojnë me pagën më të ulët bruto në vend, 37.1% poshtë mesatares kombëtare.

Rritja më e madhe në raport tremujori me vitin e kaluar llogaritet për të punësuarit e administratës publike dhe mbrojtjes, arsimit, shëndetësisë, sigurimeve sociale etj me rritje page prej 8.3%. Me rritjen negative rezulton paga e të punësuarve në aktivitetet financiare dhe të sigurimeve me -3.3%., ndonëse paga bruto e këtij sektori është më e larta në vend.
Të punësuarit në profesionet e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë kanë paga bruto 72.8% mbi mesataren kombëtare, profesioni me pagën më të lartë në Shqipëri, por rezulton me një rritje minimale prej 2.2% nga tremujori i parë i 2020-s në tremujorin e parë të 2021-shit.
Grupi i punonjësve në profesione elementare rezulton me pagë të rritur prej 7.8%, rritjen më të madhe, por niveli i pagës së tyre mbetet 38.8% nën mesataren kombëtare të vendit duke mbetur profesioni më pak i paguar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



