Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e deputetëve të opozitës për Portin Turistik të Durrësit. Me vendimin e marrë këtë të premte, Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën e 37 deputetëve të opozitës, të cilët kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kështu, nuk do të ketë më asnjë pengesë për ndërtimin e projektit të marinës.
Grupi i deputetëve kërkoi në padinë mbi 40 faqe, që të pezullohej zbatimi i atij ligji, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi, sepse, sipas tyre, është i papajtueshëm me parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe marrëveshje ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë.
Kërkesa u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese nga Oerd Bylykbashi përfaqësues i Partisë Demokratike, pas dyshimeve për korrupsion me planet për ndërtimin e Portit të Durrësit, të cilat, sipas tij, po miratohen pa transparencë dhe pa konkurrime të hapura.
Ligji ratifikues i marrëveshjes bazë me fuqi 10 vjeçare parashikon një seri lehtësirash bazuar në marrëveshjen për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve mes dy vendeve.
Marrëveshja flet për një fushë të gjerë bashkëpunimi në ekonomi, bujqësi, turizëm. Ajo u miratua nga qeveria në fund të nëntorit të vitit 2020 dhe brenda një jave u miratua në Kuvend me 91 vota pro, 5 kundër e 4 abstenim, në kohën kur Partia Demokratike braktisi institucionin ligjvënës dhe u përpoq të digjte mandatet e deputetëve të saj.
Sipas qeverisë shqiptare, investimi për ndërtimin e Portit të Durrësit parashikohet të shkojë në 2 miliardë dollarë, por opozita dyshon për një aferë korruptive të përmasave të mëdha.
Marrëveshja u nënshkrua më 11 gusht mes palëve dhe qeveria e solli në Kuvend, ku u prit me kritika e dyshime nga opozita, sapo u mësua se ajo po futej në procedurë të përshpejtuar.
Kryeministri Edi Rama tha se bëhet fjalë për “një personalitet të ekonomisë globale, përfaqësues i një prej kompanive më të mëdha të botës që vjen në Shqipëri si rezultat i një marrëdhënie strategjike”.
Ai shtoi se po bëhet një investim që nuk është bërë dhe nuk është imagjinuar ndonjëherë, që “e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe”.
Ky projekt do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2. Parashikohen 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total.
Faza e parë nis në 2023-shin e zgjat për 5 vite, me vlerë investimi € 595 milionë Euro, dhe për fazën e dytë që pritet të nisë në 2028-ën, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro.
Marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgjat 20 vite.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




