Politike

Padia e Metës ndaj Dvoranit, si e kërcënon KED-në

Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë e përcakton Këshillin e Emërimeve në Drejtësi si organ me mandat 1-vjeçar, që nis më 1 janar dhe mbyllet më 31 dhjetor të çdo viti. Anëtarët e KED zgjidhen me short. Shorti organizohet nga Presidenti nga data 1 deri në datë 5 dhjetor. Nëse Presidenti refuzon hedhjen e këtij shorti, atëherë kreu i Kuvendit duhet ta hedhë atë brenda datës 10 dhjetor.

Sipas këtyre përcaktimeve, shorti për KED-në e vitit të ardhshëm po afron. Por, padia që Ilir Meta dorëzoi në ngarkim të kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi rrezikon që të ketë pasoja jo vetëm për Ardian Dvoranin, por edhe për vetë funksionimin e KED-së për 2020. Nëse njëra nga tre Prokuroritë ku Presidenti dorëzoi padinë vendos që të pranojë atë, atëherë Ardian Dvorani rrezikon që të mos përfshihet në shortin për KED-në e re.

Kjo do të pasonte një efekt zinxhir që mund të cënojë funksionimin normal të këtij institucioni. Ligji përcakton se kryetar i KED-së zgjidhet një anëtar i Gjykatës së Lartë. Ardian Dvorani dhe Medi Bici janë dy anëtarët e vetëm që i mbijetuan vettingut në këtë gjykatë. Me skualifikimin e mundshëm të të parit, atëherë mbetet vetëm i dyti.

Përbërja aktuale e KED. Gazeta Si, 20 nëntor 2019

Por, nuk është kaq e thjeshtë. Çështja ndërlikohet juridikisht edhe më tej për shkak se Medi Bici aktualisht është pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, një organ i përhershëm produkt i reformës në drejtësi, i zgjedhur në dhjetor të 2018, pas shortit që ngriti KED-në.

Pas këtij momenti, detyra e Bicit, edhe si anëtar zëvendësues në KED bie ndesh me detyrën e tij si anëtar i KLGJ-së. Kjo konfirmohet edhe nga fakti që emri i Bicit nuk është në listën që Gjykata e Lartë ka dorëzuar për shortin e KED-së për 2020 në Presidencë, por vetëm emrin e Ardian Dvoranit, që në të tilla rrethana do të ishte automatikisht i zgjedhur.

Ndërlikimi juridik shkon më tej nga përcaktimi ligjor se kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi zgjidhet anëtari i Gjykatës së Lartë, ndërsa zëvendëskryetar anëtari më i moshuar nga dy anëtarët që zgjidhen nga Gjykata Kushtetuese.

Rrjedhimisht, në skenarin që Ardian Dvorani të përjashtohet nga pjesëmarrja në short Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të funksiononte pa kryetar. Duke njohur kompetencat që ligji i jep kryetarit për këtë institucion, kjo do të sillte pasoja të paparashikueshme për funksionimin e tij.

Një zgjidhje mund të mbërrijë nga pika 2 e nenit 227 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit në drejtësi, ku parashikohet shprehimisht se, “Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë, ose pamundësi të këtij të fundit”. Kjo, mund të ishte zgjidhja sa i takon zëvendësimit të kryetarit, por në rast përjashtimi të Dvoranit dhe me Medi Bicin të angazhuar në KLGJ, Gjykata e Lartë nuk do të përfaqësohej në KED, çka do të binte ndesh me nenin 220 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit në drejtësi.

Përbërja e KED-së sipas nenit 220 të ligjit për organet e qeverisjes vendore. Gazeta Si, 20 nëntor 2019

Ky do të ishte rasti i parë që një institucion i përcaktuar nga ligji nuk do të kishte mundësi përfaqësimi në KED, por nuk do të ishte hera e parë që ky institucion do të funksiononte me më pak anëtarë nga sa parashikohet në ligj. Më 7 dhjetor të 2018, pas refuzimit të hedhjes së shortit nga ana e Presidentit Ilir Meta me argumentin se duhej plotësuar më parë baza ligjore, shorti u hodh në Kuvend. Nga ky short, KED u ngrit i cunguar me 8 anëtarë, nga 9 që duhet të kishte në total. Cungimi përkeqësohet 10 ditë pas hedhjes së shortit, kur Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Që prej këtij vendimi, KED ka funksionuar me 7 anëtarë, ku mungoi një anëtare nga prokuroritë e Apelit.

Lojërat me KED

Ligji ngarkon Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në vlerësimin profesional dhe renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Kjo kompetencë dhe mekanizmi i zhbllokimit i japin një rol thelbësor në këtë proces.

Por, pavarësisht se sipas parashikimeve të reformës në drejtësi, KED duhej të ishte ngritur që në 2017, vetëm KED-ja e këtij viti arriti që të hartojë në shtator katër lista për katër vakanca në Gjykatën Kushtetuese.

Në dhjetor të 2016, Presidenti Bujar Nishani refuzoi të hedhë shortin me arsyetimin se duhej plotësuar kuadri ligjor. Shortin e hodhi Ilir Meta, në atë kohë kryetar i Kuvendit më datë 27 janar 2017, përtej afateve të përcaktuara nga ligji, pra nga data 1 deri në 10 dhjetor të çdo viti, ndaj KED e atij viti jo vetëm që nuk funksionoi, por as është në listën zyrtare të KED-ve ndër vite.

I njëjti fat e priste edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për 2018. Por, tashmë President dhe me arsyetimin thuajse të njëjtë me Bujar Nishanin, Ilir Meta nuk e hodhi atë. Shorti u hodh jo pa debate mes mazhorancës socialiste dhe opozitës nga Gramoz Ruçi, si kryetar i Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë