Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka komentuar raportimet në media të huaja se Dick Marty është kërcënuar nga shërbimet serbe dhe se qëllimi ka qenë që me vrasjen e tij të fajësohen kosovarët. Pacolli është shprehur se nëse kjo është e vërtetë, atëherë është koha e duhur që ai të tregojë se si e krijoi narrativën e tij të famshme të trafikimit të organeve njerëzore. Ky narracion i Martyt është shtylla kryesore e akuzës së Gjykatës Speciale në Hagë ku aktualisht ish-presdienti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-krerë të tjerë të UÇK-së po mbahen në paraburgim nën akuzat për krime lufte.
Emisioni investigativ “Mise au Point” ka nxjerr një hulumtim për Dick Martyn, sipas të cilit ish-prokurori i njohur zviceran është nën rrezikun e një plani për t’u vrarë nga inteligjenca serbe dhe e gjitha kjo t’u vishet kosovarëve, me të vetmin qëllim: diskreditimin e Kosovës. Për pasojë, sipas televizionit publik zviceran, ka 16 muaj që ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur nga forcat zvicerane, pasi ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb. E përditshmja zvicerane Tagesanzeiger, ka raportuar se Këshilli Federal ka mobilizuar edhe ushtarët elitë për të mbrojtur Dick Martyn, pasi rreziku për jetën e tij është shumë i lartë.
Edhe vetë Dick Marty ka folur për këtë situatë: “Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e botës së krimit. Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”, ka theksuar ai. /EO
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




