Nga Gazeta Si- “Prej një viti jam diagnostikuar me tumorin në qafën e mitrës. Jam nga Durrësi, 40 vjeç dhe nënë e 2 fëmijëve. Mjeku më ka dhënë si terapi kryerjen e brakiterapisë por në QSUT pajisja nuk punon prej muajit qershor”.
Stela nga Durrësi ka denoncuar rastin pranë Gazetasi.al e indinjuar dhe e trembur për jetën e saj.
Ajo thotë se Brakiterapia është trajtim jetik për të dhe pjesë e protokollit mjekësor, pa të cilin trajtimi mbetet i paplotë duke bërë që sëmundja të përparojë.
Pacientja 40-vjeçare ka përfunduar trajtimin me radioterapi dhe kimioterapi për kancer të qafës së mitrës.
Në përfundim, mjeku e ka vendosur me shkrim se ajo ka indikacion për Brakiterapi utero-vaginale, një hap i domosdoshëm dhe jetik i protokollit të trajtimit.
Por çfarë ndodh? Aparati i Brakiterapisë në QSUT është jashtë funksionit, prej rreth 3 muajsh tashmë.
Pra, pacientët marrin epikriza me rekomandim për Brakiterapi, sepse ky trajtim nuk kryhet në Shqipëri.
Por çfarë thonë mjekët?
Të pyetur nga Gazetasi.al ata thonë se kontrata e mirëmbajtjes për këtë aparaturë është shkaku që nuk po vihet në punë.
“Është trajtim që bëhet pas rrezatimit të jashtëm në pacientet me kancer të qafës së mitrës, në rastet e avancuara kryesisht. Indikacionin e vendos mjeku gjinekolog onkolog dhe e aplikon radioterapeuti. Mirë është ta kemi dhe nuk e di pse po vonon mirëmbajtja”, thonë për Gazetasi.al.
Por arsyet e vonesës askush nuk di ti thotë.
E megjithatë, mosvënia në punë e Brakiterapisë është një problem i kahershëm.
Në vitin 2023, në raportin përfundimtar të Auditimit të Performancës “Trajtimi i sëmundjeve tumorale”, KLSH konstatoi disa prej shkeljeve që lidhen me mosfunksionimin e pajisjeve, në spitalin Onkologjik, në Tiranë.
Sipas raportit të auditit të KLSH në Spitalin Onkologjik nuk është funksionale pajisja mjekësore e Brakiterapi (Kyriterapi), gjë e cila ka shkaktuar mos trajtimin për 600 gra paciente me CA gjinekologjik me radioterapi, fakt ky që përbën një rrezik për shëndetin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



