Treg

Pa qeveri dhe në borxhe – Dyshime mbi privatizimin e Telekom Kosova

Telekomi i Kosovës tashmë ka një afat prej pesë muajsh për t'u privatizuar. Gjithçka po ndodh ndërkohë që Kosova ka një qeveri në detyrë dhe kur kompania po përballet me humbje të mëdha e kërcënime që po i vijnë nga borxhet disa milionëshe.

Kompania që dikur ishte më fitimprurësja në Kosovë, ka nisur procedurat e privatizimit.

Megjithatë, iniciativa po kundërshtohet nga sindikata me arsyetimin se po “zhvendoset vëmendja nga plaçkitja që ka bërë Z-Mobile”. Edhe pse nuk i kanë mbetur edhe shumë kohë në detyrë, kur vendi po shkon me siguri drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Ministri në dorëheqje i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka po i hyn një procesi të ndjeshëm siç është ai i privatizimit të Telekomit.

Pak ditë më parë, Lluka ka zhvilluar takimin e parë me kompaninë Detecon International GmbH dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me qëllim diskutimin e privatizimit të ndërmarrjes publike.

Vetë ministri është shprehur në takim se Qeveria e Kosovës, është e interesuar të privatizojë pjesën vendimmarrëse të Telekomit, saktësisht rreth 51 për qind, pra pjesën më të madhe, për të qëndruar kështu aksionarë për pjesën tjetër. Kjo sipas tij do të bëhet për të përmirësuar cilësinë e shërbimit.

Kompania publike Telekom, që së fundmi është përballur me disa probleme për të cilat rrezikoi falimentin, ka pesë muaj kohë që të përgatitet për privatizimin nga kompania Detecon.

Kjo është hera e tretë që Telekomi do t’i nënshtrohet procesit të privatizimit, pasi që dy tentativat e kaluara nuk u finalizuan me sukses.
Tentativa e tretë po bëhet në një kohë kur Telekomi është futur në krizë të thellë financiare për shkak të borxheve të shumta. Një nga ta është edhe borxhi i arbitrazhit, që Telekom ka ndaj operatorit telefonik Z-Mobile, nën pronësinë e Devollëve, e që arrin shumën e 25.9 milionë eurove. Me këta të fundit, Telekomi ka përfunduar marrëveshjen 10 vjeçare të bashkëpunimit.

Momentalisht, Qeveria e Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve që ka Telekomi, por, që kjo po pritet të ndryshojë në marrëveshjen e re të nënshkruar për privatizimin. Kujtojmë që ministri në detyrë Lluka ka qenë shumë i zëshëm që nga fillimi i mandatit për të shkuar drejtë procedurave të privatizimit.
Në terren ka mendime të ndryshme në lidhje me privatizimin e Telekomit. Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje Bedri Istrefi ka thënë për mediet kosovare se fillimisht, para se të shkohet me privatizim, duhet që të merren disa hapa siç janë ristrukturim i korporatës, mirëmbajtja e rrjetit, reduktimi i shpenzimeve e standardizimi i proceseve brenda kompanisë.

Po ashtu përfaqësues të sindikatës së PTK-së kanë thënë se momentalisht Telekomi ka nevojë për përkrahje që të kthehet në treg, përderisa, duhen rekuperuar kontratat milionëshe që i shkaktuan dëm kompanisë publike.

Privatizimin e ka kundërshtuar që nga fillimi Lëvizja Vetëvendosje. Nga kjo parti thonë se pavarësisht protestave, peticioneve e kundërshtimeve, ka pasur prej nkohësh interes të veçantë për të shitur një aset të veçantë për shtetin.

Për herë të parë kjo ndërmarrje i ishte nënshkruar privatizimit në vitin 2011.

Kurse më pas, në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos – Capital” ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë