Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë samitit të Brdo-Brijuni-t që po mbahet në Durrës ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë.
Osmani, para gazetarëve, ka thënë se, pavarësisht tentimeve të Vuçiçit, marrëveshja e përbashkët është arritur të nënshkruhet.
“Vuçiç i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, me tentimin për ta prishur takimin. Por, në fund arritëm ta miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet. Natyrisht, për çdo propagandë që Vuçiç synonte ta prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, të cilat janë në anën e së drejtës”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka pohuar se presidenti i Serbisë pati ankesa edhe për marrëveshjen Kosovë–Shqipëri–Kroaci.
“Edhe pse Vuçiç kishte ankesa për paktin tonë të përbashkët Kosovë–Shqipëri–Kroaci në fushën e mbrojtjes, ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët se kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe mbrojtjen tonë të përbashkët”.
Po ashtu, Osmani deklaroi se Kosova asnjëherë nuk ka sulmuar askënd.
“Përgjigjja ime ishte që, në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb, ne asnjëherë nuk kemi sulmuar askënd dhe nuk kemi pushtuar askënd. Mirëpo, gjithmonë e kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë veten dhe integritetin tonë territorial”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




