Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje partive parlamentare ta gjejnë një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën e vendit për t’i themeluar Kuvendin dhe Qeverinë e re sa më parë që jetë e mundur.
Thirrja e Osmanit vjen në një kohë kur Kuvendi ka mbetur peng i zgjidhjes së nënkryetarit të vet nga pakica serbe – hapi i fundit i nevojshëm për konstituimin e Kuvendit përfundimisht.
Këtë javë u duk sikur Kosova do të bëhej me Kuvend të ri më në fund pas një ngërçi të gjatë pas zgjedhjeve të shkurtit, sepse zgjodhi kryetarin dhe katër nënkryetarët.
Megjithatë, partitë parlamentare kanë hasur sërish në mospajtime për votimin e nënkryetarit nga pakica serbe në Kuvend.
“Që Kuvendi të konstituohet urgjentisht, që qeveria të zgjidhet po ashtu urgjentisht, çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën sa më parë që të jetë e mundur”, tha Osmani.
Një ditë më parë, deputetët nuk e votuan asnjë nga kandidatët e Listës Serbe të hedhur në votim përmes shortit për nënkryetar të Kuvendit.
Vota nuk mori as deputeti tjetër serb, Nenad Rashiç nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili nuk përkrahet nga Lista Serbe.
Rashiç – i cili nuk ishte votuar as në seancën e kaluar – i mori 56 vota për, 1 kundër, ndërsa 20 deputetë abstenuan.
Deputetët do të mblidhen sërish të shtunën për ta vazhduar seancën konstituive aty ku ka mbetur të enjten.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



