Nga Gazeta 'Si'- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel, është pritur në takim nga Presidenti i Këshillit Europian, António Costa.
Në këtë takim, Osmani e ka uruar atë për detyrën e re, duke shpresuar në vazhdimin e bashkëpunimit në interes të përbashkët.
Osmani diskutoi për zhvillimet në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës, sulm ky që kishte për qëllim që të linte një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës pa ujë, pa energji elektrike, pa ngrohje dhe me pengesa në sistemin e telekomunikimit.
Në njoftimin nga zyra e Osmanit thuhet se ajo prezantoi para Presidentit Costa dëshmitë për lidhjet e Serbisë me këtë sulm, si dhe me sulmin e shtatorit të vitit të kaluar, i cili ishte akt agresioni ndaj Kosovës.
Ajo shtoi se kryeterroristi që kishte zbatuar urdhrat e Beogradit zyrtar për sulme ndaj Kosovës, pra Radoiçiç, akoma është i lirë dhe kjo dëshmon mungesën e gatishmërisë së Serbisë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës.
Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e objektivave të saj të integrimit evropian, ndaj kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.