Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kreun e KFOR, Enrico Barduani, me të cilin ka diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin e vendit e rajonit, si dhe për koordinimin e aktiviteteve në prag të vizitës së paralajmëruar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë.
Rutte pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars, për herë të parë prej kur e ka marrë këtë pozitë.
Gjatë vizitës në Kosovë, Rutte pritet të jetë i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.
“Kontinenti ynë po përballet me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të përhershëm me aleatët tanë”, ka deklaruar Osmani.
Javë më parë, Rutte ka thënë se stabiliteti në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve, dhe nuk sheh arsye të besojë që mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në aleancën ushtarake perëndimore.
Ai i pati bërë këto komente në një diskutim me studentë në Sllovaki, pasi ishte pyetur nëse sheh mundësi për rifillim të konfliktit në Kosovë, pasi veçse ka pasur raportime në disa media se politika e re amerikane mund të rezultojë me tërheqje të pranisë ushtarake.
Përveç Kosovës, zvogëlimi ose tërheqja e trupave ushtarake amerikane janë përfolur edhe në disa vende evropiane, por administrata e presidentit amerikan, Donald Trump nuk ka konfirmuar diçka të tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



