Nga Gazeta ‘Si’-Gjatë kësaj jave pritet të mbahet takimi ndërmjet presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Takimi pritet të mbahet më 31 korrik, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa subjektet politike tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Partitë politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja për t`u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që ato shpallen, ndërsa lidhur me datën e mundshme, ata do ta japin propozimin në takimin me presidenten, pas vlerësimit të të gjitha rrethanave.
“Është e rëndësishme që për herë të parë në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë një qeveri dhe legjislaturë po e mbyllë një mandat të plotë. Kjo falë mbështetjes plebishitare të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara si dhe qeverisjes së mirë dhe legjislativit të suksesshëm. Sa i përket datës së zgjedhjeve, Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk lënë shumë opsione dhe ato opsione ligjore që ekzistojnë e që janë katër data nuk janë larg njëra tjetrës”, tha Alim Rama, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se do të marrin pjesë në takim por sipas saj, kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.
“PDK-ja e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, tha Çitaku.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lënë të kuptohet se do të marrë pjesë në takim, por zëdhënësi i partisë ka theksuar se vendimi do të merret të hënën nga strukturat e partisë.
“Po kemi pranuar letrën nga Presidentja. Në bazë të kësaj letre presidentja konsultimet do t’i zhvilloje për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve por sidoqoftë vendimet për këtë çështje do t’i marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë”, ka thënë Kushtrim Xhemajli, zëdhënës i AAK-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




