Kosova

Osmani: Serbia pengon zgjedhjet në Kosovë në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke komentuar zgjedhjet në veri të vendit, ka deklaruar se institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës.

“Falënderoj të gjithë ata qytetarë që morën pjesë në votim, përkundër ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë dhe strukturave të saj kriminale për ta pamundësuar një gjë të tillë.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve kriminale, shumë qytetarë serb të këtyre komunave u kërcënuan dhe u shantazhuan me qëllim që mos të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe kësisoj të mos mund ta shprehin vullnetin politik për t`i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal.

Ndërhyrja nga jashtë në procese zgjedhore është një problem global për botën demokratike, e cila jo vetëm që mëton ta minojë vullnetin qytetar, por edhe cenon parimin e barazisë sovrane të shteteve, si një nga normat themeltare të rendit ndërkombëtar”, theksoi ajo pas takimit me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniç.

“Angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin zbatues.

Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nga jashtë, veprim ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë