Kosova

Osmani: Serbia është satelit i Rusisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për transmetuesin kombëtar të Australisë, ABC, ka folur mbi zhvillimet e fundit në Europë dhe përjetimet e popullit të Kosovës në luftën, siç e quajti ajo, gjenocidale të viteve ’90.

Osmani tha se lufta në Ukrainë sjell kujtime të dhimbshme për popullin e Kosovës, pasi sipas saj, edhe populli i Kosovës ka qenë viktimë e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, nga politika gjenocidale e Milosheviqit.

Osmani tha se ajo çfarë po shohin në Ukrainë është një kujtesë se nëpër çfarë ka kaluar populli i Kosovës dhe se ende s’ka drejtësi për viktimat e krimeve.

Më tej, e para e shtetit përmendi edhe ndihmën që Kosova ka ofruar për popullin e Ukrainës, si dhe sanksionet ndaj Rusisë.

“Ne jo vetëm që u solidarizuam me ta, por ishim shteti i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që iu bashkëngjitëm sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së dhe partnerë si Australia.

Pavarësisht se jemi vend i vogël, në këtë kohë të vështirë për kontinentin tonë, duhet të qëndrojmë bashkë pavarësisht se a jemi të vogël ose të mëdhenj”, është shprehur Osmani.

Ajo më tej tha se pasojat e rajonit të Ballkanit mund të lidhen me sigurinë, pasi sipas saj Rusia e ka një “satelit” në rajon  që është Serbia, vend ky që sipas Osmanit u ka shërbyer interesave të Rusisë për kohë të gjatë dhe ka një bashkëpunim ekonomik e ushtarak në vitet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë