Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani njoftoi se ka vendosur që të mos dekretojë Blerim Isufajn, për kryeprokuror të shtetit me argumentin se procesi ka pasur shumë shkelje ligjore.
Osmani në një konferencë për media tha se janë evidentuar “shkelje masive” në procesin e përzgjedhjes së Isufajt nga ana e Këshillit Prokurorial dhe përmendi edhe kërcënimet që kishte marrë lidhur me mosdekretimin e tij.
“Në një vend demokratik ata që mendojnë se mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të duhej të ishin jashtë sistemit. Ato janë presione të paligjshme, që duke menduar se duke kërcënuar kreun e shtetit të marrin nënshkrime. E nuk do të marrin, unë jam e pavarur nga çdo ndikim tjetër.
Ka pasur presione të tjera, njerëz që dërgonin mesazhe që nëse nuk e dekreton nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart. Por ata duhet ta dinë që këto më shumë se 2 dekada që jam në politikë presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë”, shtoi Osmani.
Ajo foli edhe për mundësinë e dërgimit të vendimit të saj në Gjykatën Kushtetuese.
“I inkurajoj deputetët ta lexojnë këtë dokument, ku janë të evidentuara të gjitha shkeljet në këtë procedurë të përzgjedhjes së kryeprokurorit.Nëse për arsye politike zgjedhin një rrugë të tillë, atëherë kjo për mua është vetëm betejë politike dhe jo ligjore, dhe kush do që do betejë politike me mua, betejë politike do të ketë”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




