Kosova

Osmani: Policët duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht! Agresion nga ana e Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve, të cilët sipas policisë së Kosovës, dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Vjosa Osmani, shkruan se ky veprim është agresion nga ana e Serbisë teksa shton se akti dëshmon se Serbia nuk është e interesuar për paqe në rajon, por për shkaktim të destabilizimit të Kosovës dhe Ballkanit.

Osmani shkruan se një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj asaj që ajo e quan “tendencë të Serbisë për destabilizim të rajonit”.

“Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë.

Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.

Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima.

Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit.

Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht!

Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë”, shkruan Vjosa Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë