Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha sot(15 qershor) se dialogu Kosovë-Serbi është proces jetik që i shpie të dyja vendet drejt BE-së.
Ajo ka thënë se nuk ka popull më të përkushtuar sesa ai i Kosovës ndaj vlerave dhe lirive që përfaqëson BE-ja.
Sipas saj, përkushtimi i Kosovës për t’iu bashkuar BE-së është i palëkundur.
Osmani shtoi se një Europë e bashkuar është e paplotë pa Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor brenda saj.
“Dua ta falënderoj BE-në për investimet në shumë fusha por edhe në jetën e përditshme. Ka ardhur koha që t’i ngrisim marrëdhëniet tona në një nivel më të lartë. Sot jemi përballë një situate të re në Europë, ne kemi nevojë për angazhim të mëtejshëm për të arritur objektivin për Europë të bashkuar. Pavarësisht përkushtimit tonë, mospërmbushja e premtimeve në raport me rajonin tonë e teston besueshmërinë në BE-në, duke lënë hapësirë për ndikim të jashtëm”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave është stërvonuar, derisa ka kërkuar angazhim aktiv nga BE-ja dhe se pret që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt.
“Duhet të vendoset një rrugë e qartë në Bashkimin Europian. Kosova është e gatshme t’i ndërmarr të gjitha reformat për t’u anëtarësuar në BE. Kosova është e përkushtuar edhe ndaj dialogut me Serbinë. Për Kosovën dialogu nuk është vetëm kërkesë nga ndërkombëtarët por proces jetik”, ka thënë ai.
Ajo tha se BE-ja nuk duhet të lejojë që dialogu të shndërrohet në instrument të Serbisë për ta minuar integrimin e Kosovës, qoftë në mekanizma rajonal e as në evropian.
“Pavarësisht përkushtimit tonë mospërputhja e premtimeve teston edhe besueshmërinë e BE-së. Populli i Kosovës do të mbetet stoik kundër ndikimit rus në Ukrainë. Kryesorja është liberalizimi i vizave dhe është stërvonuar pavarësisht përmbushjes së kritereve”, tha Osmani.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, është shprehur se BE-ja do të vazhdojë të mbështetë Kosovën.

Ai shtoi se Ballkani Perëndimor është prioritet strategjik për BE-në.
“Ne patëm mundësinë që të diskutojmë marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës. Ballkani Perëndimor është prioritet strategjik dhe mirëpresim fokusin tuaj në implementimin e reformave në sundimin e ligjit”, ka thënë Micheli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




