Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë sot(14 mars) se nuk ka shumë shpresa te qasja e Serbisë në takimin e radhës me Kosovën në Ohër, por pret nga komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë presion Serbisë.
“… të bindet edhe Serbia që takimi që do të mbahet në Ohër është një momentum jashtëzakonisht i rëndësishëm në procesin e dialogut. Përmes kësaj marrëveshjeje, bashkë me një plan zbatimi, të zgjidhen shumë çështje, që më pas hapin dyert drejt njohjes reciproke”, ka thënë Osmani para mediave në Prishtinë.
Në këtë takim palët pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Në takimin e fundit më 27 shkurt në Bruksel, ata kanë thënë se pajtohen me përmbajtjen e dokumentit, që quhet edhe “Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve”.
“Modelet e prezantuara nuk lidhen me asociacione”
E pyetur për 15 modelet që Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ia ka ofruar Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani, ka thënë se ato “nuk kanë të bëjnë me asociacione”.
“Janë modele të drejtash për pakicat. Pra, disa japin më shumë të drejta, në disa modele ka më pak të drejta, sesa që tashmë Kosova u ofron pakicave. Ne i kemi analizuar të gjitha këto modele, dhe natyrisht ka elemente që mund të merren prej secilit propozim, por unë do të thosha sërish që modeli më i mirë, është modeli aktual që e ka Republika e Kosovës”.
Ajo ka thënë se janë duke diskutuar këto modele “në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje dhe diversitet”.
“Përderisa nuk cenohet funksionaliteti i brendshëm i shtetit tonë, ne nuk kemi nevojë që të mohojmë diçka të tillë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë më 13 mars se është duke i analizuar 15 modelet evropiane që i ka ofruar BE-ja.
I dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se këto modele janë në përputhje me standardet evropiane.
Asnjëra prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike as nga Kosova e as nga Brukseli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




