Kosova

Osmani: Ndëshkimi i grupeve kriminale, rruga e vetme për stabilitet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, citohet t’u ketë thënë të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobarit dhe Mirosllav Lajçakut, se vetëm ndëshkimi i grupeve kriminale mund të çojë në një “stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.

“Prandaj presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”, u tha Osmani, sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes.

Ajo përmendi edhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja – që ka qenë kërkesë e Escobarit dhe Lajçakut në takimin e një dite më parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, tha Osmani.

Ajo gjithashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar të punojë në bashkëpunim me aleatet e saja ndërkombëtare.

Pas takimit me Osmanin dy emisarët pritën në Zyrën e BE-së në Prishtinë, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë