Në përpjekje për të hapur një faqe të re në drejtimit e shtetit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbodhi sot në selinë e presidencës ish-krerët e shtetit të Kosovës. Osmani riktheu në presidencë mentorin e saj politik, ish-presidentin Fatmir Sejdiu, presidenten e parë të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kreun më jetë-shkurtër Behgjet Pacolli
Osmani tha se i ka ftuar në takim paraardhësit e saj, për të krijuar një kulturë të re “të memories dhe traditës institucionale”, e cila, sipas saj, është e nevojshme që shteti i Kosovës të ecë përpara.
Por në presidencë mungonte sot një nga figurat më të rëndësishme të shteti të Kosovës, ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë. Thaçi ndodhet në ndalim që nga nëntori i vitit të kaluar në paraburgim dhe pavarësisht disa seancat e vazhdueshme, fati i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit nuk është përcaktuar ende.
Ai akuzohet për krime lufte, tortura dhe vrasje të kundërshtarëve politike. Osmani mori presidencën pas arrestimit të Thaçit dhe përfundoi mandatin e tij për t’u zgjedhur më pas nga kuvendi në krye të shtetit.
Gjatë takimit më paraardhësit, Vjosa u kërkoi të ndërtonin një model të ri të konsultimit të vazhdueshëm të ish-presidentëve, sidomos për çështje që janë të interesit kombëtar. “Duhet të mësojmë nga përvoja e tyre dhe vazhdimisht të bashkojmë forcat që t’i zgjidhim problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë”, tha Osmani.
Të tre ish-presidentët, Jahjaga, Sejdiu, dhe Pacolli, shprehën gatishmërinë për të ofruar kontributin e tyre për presidenten Osmani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




