Kosova

Osmani: Marrëdhëniet me SHBA-në, ekzistenciale!

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar për britaniken Monocle se rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së, pavarësisht sfidave, është sipas saj e pandalshme.

“Mendoj se është jetike për të gjithë, për shtete të mëdha apo të vogla në mbarë botën, por është veçanërisht jetike për shtete si Kosova, sepse ne nuk kemi gjithmonë mundësinë të takojmë të gjithë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Shumica e angazhimit tonë diplomatik zhvillohet brenda kontinentit evropian. Do të na duhej shumë kohë për të vizituar secilin shtet veç e veç, në çdo kontinent”, deklaroi Osmani.

Ndalur te marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani i vlerësoi si ekzistenciale. Ajo shton se, SHBA-të kanë ndihmuar që Kosova të shndërrohej në një nga historitë më të mëdha të suksesit të politikës së jashtme amerikane në historinë modern.

“Marrëdhënia që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë ekzistenciale. SHBA-të udhëhoqën botën për të na shpëtuar jetët dhe për të na dhënë mundësinë të jetojmë të lirë, të pavarur dhe të gëzojmë demokracinë që kemi sot. Nga ana tjetër, Kosova është shndërruar në një nga historitë më të mëdha të suksesit të politikës së jashtme amerikane në historinë moderne, jo vetëm të SHBA-ve, por edhe të NATO-s në përgjithësi, sepse edhe shtete të tjera kontribuuan, si Mbretëria e Bashkuar dhe shumë vende të Bashkimit Europian”, tha ajo.

Më tej, Osmani vuri theksin te intensifikimi i bashkëpunimit me SHBA-të kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.

“Aktualisht po fokusohemi kryesisht në dy sektorë: Mbrojtja, kemi mbështetje të madhe nga SHBA-të në fushën e mbrojtjes. Ne jetojmë në një kontinent shumë të brishtë, e rajoni ynë është edhe më i ndjeshëm nga aspekti i sigurisë. Prandaj është thelbësore që të kemi kapacitetet e nevojshme mbrojtëse. Ekonomia, po punojmë shumë me SHBA-të për ta zgjeruar bashkëpunimin ekonomik.

Në të kaluarën, ky bashkëpunim ishte kryesisht ndihmë. Sot ekziston një potencial i madh investimi. Kosova, ndonëse shihet si vend i vogël, përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë ka qasje të lirë në qindra miliona evropianë. Pra, kur investoni në Kosovë, ju investoni në tregun evropian, me kosto më të ulëta të punës, çmime më të favorshme, sistem ligjor dhe financiar shumë të mirë dhe si shteti më pro-amerikan në botë.

Mendoj se i plotësojmë të gjitha kushtet për të qenë një destinacion i dëshirueshëm për bizneset amerikane”, u shpreh Osman, teksa nënvizoi se Kosova është 100% e harmonizuar me politikën e jashme dhe të sigurisë së BE-së përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

“Sepse besojmë se në momente të vështira, ajo që përfaqëson dhe pozicioni që mban janë vendimtare”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë