Kosova

Osmani: Kosova duhet të ketë draftin e saj të statutit të Asociacionit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha sot se një draft i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të prezantohet nga ana e Kosovës.

“Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse ne nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturit ekip menaxhues që në realitet është draft i Vuçiçit, të bëhet bazë e negociatave, pra ta kemi draftin tonë i cili që është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe siguron që nuk preket as sovraniteti, as integriteti territorial,” u ka thënë mediave Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Bruksel për një raund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Sa i përket pikës të takimit që ka të bëjë me personat e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, Osmani tha se miratimi i një deklarate për këtë çështje është shumë e rëndësishme.

“Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që t’i hapë arkivat, aty ku gjinden edhe dëshmitë për mbi 1.600 të zhdukur me dhunë të luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht kemi shumë dyshime në atë se çfarë do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët nëse nuk bllokohet nga ana e Serbisë, do të përfundojë sot, partnerët ndërkombëtarë të sigurohen që çdo hap që premtohet, të zbatohet”, tha Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë