Kosova

Osmani: Kosova dhe SHBA-ja do të finalizojnë marrëveshje për ‘dialog strategjik’

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do ta finalizojnë së shpejti një marrëveshje për “dialog strategjik” mes dy vendeve.

Në një shkrim në Facebook pas një takimi në Prishtinë me zëvendëssekretarin e Shtetit për Menaxhim dhe Burime i SHBA-së, Richard R. Verma, Osmani tha se zyrtari amerikan ia konfirmoi asaj se, pas kërkesës së saj nga viti 2021, Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti dialogun strategjik.

“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”, tha Osmani.

Ajo shtoi se ekipet e dy vendeve do të takohen “së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”.

Osmani nuk dha më shumë hollësi.

Osmani ka biseduar për nevojën e dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së edhe në tetor të vitit 2024 me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Verma po viziton Kosovën si pjesë turit që është duke e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor, ku të enjten qëndroi në Shqipëri, ndërsa të shtunën do ta përfundojë atë me një ndalesë në Serbi, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Vizita e tij po zhvillohet dhjetë ditë para se administrata Biden ta përfundojë mandatin dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë