Kosova

Osmani: Kosova dhe partnerët e saj në anën e Ukrainës, Serbia zgjodhi Putinin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një opinion për gazetën britanike “The Economist”, ka folur për situatën në Kosovë dhe rajon pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Osmani ka thënë se Kosova është rreshtuar bashkë me aleatët në anën e Ukrainës, ndërsa Serbia ka zgjedhur Rusinë.

Sipas saj , refuzimi i drejtpërdrejtë i sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia nuk është befasi dhe zbulon se ku qëndron vërtetë besnikëria e saj.

“Tani është koha për të folur qartë se ku qëndrojmë: Kosova dhe partnerët e saj në mbarë botën janë në anën e Ukrainës, ndërsa Serbia ka zgjedhur të mbajë anën e Putinit.

Gjatë viteve të fundit, pavarësisht se flet nëpërmjet një loje shtirëse rreth vlerave europiane, Serbia e ka rritur bashkëpunimin e saj politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivele të papara më parë, madje as nën regjimin e Millosheviqit. Zhvendosja e Serbisë drejt autokracisë ka qenë graduale dhe më e rëndësishmja, e qëllimshme. E lënë për një kohë të gjatë e pa kundërshtuar e nganjëherë edhe e pranuar, sot Serbia paraqet një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin në Europë. Kjo është tashmë e dukshme në të gjitha indekset ndërkombëtare për demokracinë, për mediat dhe për liritë. Rënia e vlerësimit të Serbisë është dëshmi e prirjes së saj gjithnjë e më autokratike”, është shprehur Osmani.

Ajo ka permendur edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar, ndërsa ka thënë se Qeveria e beogradit vendosi tanke dhe avion luftarak në kufirin e Kosovës.

“Veprimet e pajustifikuara të Serbisë rreth çështjes së targave të automjeteve vitin e kaluar, po aq e dëshmojnë këtë. Ndryshe nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, për gati një dekadë Serbia kërkoiqë me rastin e hyrjes në Serbi të hiqen targat e regjistrimit të Kosovës dhe më pas të zëvendësohen me të përkohshme. Në tetor Kosova, si palë e barabartë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, vendosi reciprocitet. Qeveria në Beograd nxitoi të vendosë tanke dhe avionë luftarakë rus MiG në kufirin tonë, ku ambasadori rus u shfaq me shpejtësi për të dhënë bekimin e tij nëse forcat serbe hyjnë në Kosovë”.

“Në mënyrë të ngjashme, kur i gjithë rajoni ynë mori pjesë në një stërvitje ushtarake të NATO-s vitin e kaluar – “Defender-Europe 21”, – që përfshinte partnerë nga e gjithë Europa, Serbia ishte i vetmi vend që nuk mori pjesë dhe përkundrazi në të njejtën kohë zhvilloi një stërvitje ushtarake me Rusinë në territorin e saj”, ka thënë ajo në opinionin e publikuar në “The Economist”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë