Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën (14 qershor) se integrimet euro-atlantike janë synimet e vetme për Kosovën.
Osmani kërkoi mbështetje në atë që ajo e quati moment kritik.
“Jam këtu për ta shprehur mbështetjen ndaj jush dhe në këtë moment kritik për të i’u bërë thirrje që të qëndroni palëkundur pranë nesh. Jam këtu për ta shfaqur suportin e popullit kosovar. Nuk jemi thjesht pjesë e gjeografisë së Evropës, por vlerat evropiane janë ato qe na bëjnë evropianë. Kosova është Evropë dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian. Shteti jonë është themeluar mbi vlerat evropiane”, tha ajo në një seancë plenare para Parlamentit Evropian ku ka shtuar se Kosova është vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor.
Adresimi i saj në PD vjen 25 vjet pas fjalimit të ish presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
“Ekzistenca e shtetit tonë dëshmon çfarë mund të bëjnë demokracitë kur bëhen bashkë, kur i dalin ballë pushtuesit, kur mbështesin ata që luftojnë për drejtësi dhe barazi, dhe kur ju bashkoheni kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit”.
Duke folur për të drejtat që ofron Kosova për secilin qytetar, Osmani u ka bërë thirrje të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtat që i parashikon Kushtetuta e këtij vendi .
“Republika e Kosovës është shtëpia juaj dhe do të bëjmë gjithçka që të ju të jeni të përfshirë dhe të dëgjoheni”.
Duke përmendur një delegacion të Preshevës, që ka qenë i pranishëm në seancë, Osmani ka thënë se “Kosova është me ju, ju nuk jeni vetëm, teksa përballeni me shkelje të të drejtave të njeriut”.
Ajo gjithashtu ka thënë se Kosova është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për ta mbështetur Ukrainën. Ajo ka rikujtuar se Kosova ka qenë një prej vendeve të para në rajon që i ka vendosur sanksione Rusisë, për luftën e nisur kundër Ukrainës.
Presidentja Osmani ka përmendur se Kosova i ka trajnuar ukrainasit për të punuar në çminimin e territoreve, më pas për ofrimin e mbështetjes ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale, si dhe për mbështetjen e ofruar për gazetarët ukrainas.
“Ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë”, është shprehur ndër tjera Osmani.
Në nisje të seancës, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka thënë se BE-ja është e vetëdijshme për ndikimin që mund të kenë tensionet e fundit në veri të Kosovës në rajon, prandaj e ka përmendur nevojën urgjente për ulje të tensioneve.
Ajo, po ashtu, ka thënë se Kosova vetëm përfiton nga BE-ja, kur ndërmerr masa për ulje të tensioneve.
Vizita e presidentes Osmani ishte caktuar para më shumë se një muaj dhe zhvillohet në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian janë në një fazë të vështirë./ REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




