Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe.
Ditëve të fundit, në veri të Kosovës është raportuar për djegien e disa makinave të pronarëve serbë, të cilat kanë qenë të regjistruara me targa RKS – Republika e Kosovës.
“Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë, për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e republikës”, ka thënë ajo.
Osmani i ka bërë këto deklarata në një takim me të dërguarit e posaçëm të Gjermanisë dhe Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner.
Sipas Presidencës, në takim palët kanë biseduar edhe dakordimin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, më 27 shkurt në Bruksel, si dhe për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes, më 18 mars në Ohër.
Për të diskutuar rezultatet e këtyre takimeve dhe rrugën më tej, më 4 prill në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.
Në takimin e 4 prillit pritet të diskutohet edhe për çështjen e targave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




