Kosova

Osmani i kërkon presidentit të Letonisë mbështetje për anëtarësim në NATO e BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidentin e Letonisë, Eglis Levits, ka thënë se është biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Ajo ka thënë se si dy vende mike, Kosova dhe Letonia do të vazhdojnë të kontribuojnë për të mbështetur paqen.

Gjatë një konference për media të premten(22 prill) me presidentin e Letonisë, Egils Levits, Osmani ka thënë se nëse shtetet europiane qëndrojnë të bashkuara, do të kenë sukses në luftën kundër tiranisë.

“Jam e bindur se me qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe me vendosmërinë tonë për ta forcuar demokracinë dhe lirinë, do t’i sfidojmë kërcënimet që nga vijnë nga Rusia. Nëse qëndrojmë të bashkuar jam e bindur në suksesin tonë në luftën kundër tiranisë dhe autokracisë”, ka thënë Osmani.

Ajo po ashtu ka thënë se Osmani i ka kërkuar homologut të saj Levits që Letonia ta mbështet Kosovën në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Duke qenë se Letonia është një zë kyç në NATO dhe në BE kërkova mbështetjen e Levits në rrugëtimin tonë drejtë integrimit euro-atlantik dhe kam theksuar se këto aleanca duhet t’i kenë gjithnjë dyert e hapura për shtetet si Republika e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ndërsa Presidenti i Letonisë, Egils Levits, ka thënë se shteti i tij i kupton aspiratat e Kosovës si shtet demokratik. Ai ka thënë se as Letonia dhe as Kosova nuk kanë ndonjë armik, por se “vetëm jemi duke mbrojtur demokracinë tonë”.

Presidenti i Letonisë, Egils Levits

“Në qoftë se shohim situatën e tanishme në Europë mund të themi se kemi një ndryshim në muajt e fundit pas agresionit rus në Ukrainë. Arkitektura e sigurisë së Europës duket të ripërtërihet dhe të bazohet në realitet. Realiteti është se duhet të ballafaqohemi me një Rusi agresive. Tani është koha e duhur për ta bërë këtë hap të mirë varet nga NATO-ja”, ka thënë ai në një konferencë për media së bashku me presidenten Osmani.

Levits shtoi se është shumë e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Europës.

“Mendoj që është e rëndësishme që të anëtarësohet Kosova në organizatat ndërkombëtare e forume, do të përmendja këtu Këshillin e Evropës. Ne do të mirëpritnim aplikimin e Kosovës në Këshillin Evropës. Sa i përket BE-së Letonia është duke e mbështetur Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave.

Tani nuk ka pengesa të arsyeshme që të mos jepet liberalizimi i vizave. Ne kemi vërejtur që viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm në këtë drejtim (luftimi i korrupsionit) Po e vërej që ekzistojnë disa probleme sa i përket dialogut me Serbinë, shpresoj që këto bisedime do të përparojnë”, përfundoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë