Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i ftojë udhëheqësit e partive politike në takime në ditët në vijim, për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit.
Kushtetuesja, në aktgjykimin e publikuar më 26 qershor, obligoi deputetët e dalë nga zgjedhjet e shkurtit, që brenda 30 ditësh të konstituojnë organin ligjvënës.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktgjykimi lejon votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë argumentuar të kundërtën.
“Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Kupina.
Për të 39-tën herë me radhë, të shtunën, deputetët nuk arritën ta konstituonin Kuvendin. Që nga 1 maji – kur kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga LVV propozoi që për kryetarin e Kuvendit të votohet në mënyrë të fshehtë – PDK-ja, LDK-ja, AAK-Nisma dhe Lista Serbe nuk propozuar përfaqësues për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.
Këto parti kanë argumentuar se ndryshimi i mënyrës së votimit është jokushtetues, dhe ishte AAK-ja, me mbështetjen e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së që e dërgoi çështjen e votimit të fshehtë në Gjykatën Kushtetuese.
Më 28 qershor, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi udhëheqësit e partive politike për konsultime, por edhe pas dy orësh takim, palët nuk arritën asnjë marrëveshje për të dalë nga ngërçi politik.
Pas takimit, Kurti ka fajësuar partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë se po e keqinterpretojnë aktgjykimin, duke thënë se në takim ka ofruar edhe kompromise.
Por, nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se kanë kërkuar që të mos vazhdohen seancat me skenarin e njëjtë, pra me votimin e fshehtë.
Kandidatja e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, pas vendimit të Kushtetueses ka deklaruar se do të tërhiqet nga kandidimi nëse në votimin e fshehtë nuk i siguron 61 votat e nevojshme.
Që Kuvendi të konsiderohet i konstituuar, duhet që deputetët të votojnë për kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për të cilët kërkohen 61 vota.
Vetëm pasi të përmbyllet ky proces, LVV-ja si fituese e zgjedhjeve mund të provojë të formojë Qeverinë e re të Kosovës./REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.