Edi Rama deklaroi të enjten nga Kuvendi se rezoluta kundër raportit të Dick Marty-t synonte që të vinte në lëvizje Këshillin e Europës për të rrëzuar akuzat për trafik organesh nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, Presidenti Ilir Meta dhe Presidentja Vjosa Osmani vunë në dyshim suksesin e kësaj rezolute.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy Presidentët nuk përmenden asnjë fjalë për rezolutën e miratuar me 125 vota pro nga Kuvendi i Shqipërisë ditën e enjte kundër raportit të Dick Marty-t.
Të pyetur nga gazetarët për këtë rezolutë, si Osmani, ashtu edhe Meta thanë se e mirëpresin si akt, por që të dy vunë në dyshime rëndësinë dhe efektin që do të ketë ajo në Këshillin e Europës për ta zhbërë raportin e Dick Marty-t.
LEXO EDHE:
– Berisha s’e votoi rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t, Rama: Neveri!
– Rezoluta për Raportin e Dick Marty, Rama: PD përdor Kosovën për të hequr vëmendjen nga lufta e brendshme. Basha rikthehet në foltore
“Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur qëndrimin që lufta e Kosovës, lufta e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush dhe historia nuk mund të ndryshohet. Ne kemi aplikuar për anëtarësim në KiE. Kur të jemi anëtarë të KiE do të kemi mundësi që të bëjmë propozime dhe theksoj që organi që miraton një dokument ka të drejtën ta shfuqizojë atë, por edhe që vetë prokurorët e Hagës i kanë hedhur në kosh akuzat në raportin e Dick Marty-t”, deklaroi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Por, Presidentja e Kosovës tha se nuk duhet harruar se kush e mbështeti më fort ngritjen e gjykatës speciale, duke iu referuar këtu Hashim Thaçit, që sot po përballet me këtë gjykatë.
“Jo vetëm rezolutën, por çdo akt që synon demontimin e akuzave të Dick Marty-t mirëpritet dhe është i dobishëm”, deklaroi Presidenti Ilir Meta.
Meta tha se me rëndësi është që “Shqipëria dhe Kosova të koordinojnë veprimet e tyre dhe mbi të gjitha t’i ruajnë shpinën njëra-tjetrës”.
Presidenti Meta ndodhet në Kosovë për një vizitë zyrtare dhe mbyll mandatin 5 vjeçar si kreu i shtetit shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




