Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Osmani ka thënë se beson që peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.
“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo.
Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në komunat në veri të Kosovës: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Pjesëtarë të komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, të cilat i kanë fituar kandidatët shqiptarë.
Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.
Osmani ka thënë se largimi i kryetarëve aktualë, përmes një peticioni, do të ishte “në lloj referendumi”, i cili do të hapte rrugë për një proces të dytë zgjedhor.
Ajo ka thënë se gjithë procesi mund të kryhet brenda muajsh.
“Para se të shpallen zgjedhjet e reja, Kosova duhet të marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar që Beogradi nuk do të ndërhyjë”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse votuesit serbë do të nisin peticion.
Lista Serbe, partia kryesore e serbe në Kosovë, ka thënë të hënën se mund të marrë pjesë në zgjedhjet eventuale kur t’i plotësohen disa kushte.
Ajo e ka përmendur tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, largimin e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale, dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




