Kosova

Osmani drejt Presidencës, Kurti njofton tërheqjen nga ligji zgjedhor

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në orën 18:00 në përpjekjen e dytë për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit.

Seanca e së premtes dështoi edhe pse opozita kishte dhënë mbështetjen paraprake për votimin e zonjës Osmani, presioni i qeverisë Kurti për miratimin e ndryshimit të ligjit zgjedhor, duket se ka bërë që një pjesë e deputetëve të mos merrnin pjesë në seancë.

Kryeministri Albin Kurti sinjalizoi se është arritur mirëkuptimi me opozitën.

“Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti. Zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë. Pas fitores me 50,28% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne jemi shumica në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë deputetët tanë ishin shumica, por nuk ishin 2/3 e të pranishmëve. Nuk arritëm të procedojmë me projektligjin që ua mundëson mërgatës të votojë në ambasadat e konsullatat tona”, shkroi ai.

Kurti sinjalizoi gjithashtu se do të tërhiqet përkohësisht nga ndryshimet e njëanshme në ligjin zgjedhor dhe do të ngrihet një komision parlamentar për këto ndryshime për të përfshirë edhe opozitën.

“Ky Projektligj nuk kishte të bënte me reformën zgjedhore. Sot kemi seancën për zgjedhjen Presidente të znj. Vjosa Osmani. Menjëherë pas kësaj formojmë komisionin ku bashkë me opozitën punojmë, pajtohemi dhe sivjet e përmbyllim reformën zgjedhore”, thotë Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë