Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë fjalimit vjetor në Kuvend, ka folur edhe për dialogun Kosovë -Serbi nën udhëheqjen e BE-së, për të cilin tha se ka qenë i pabalancuar.
Ajo shtoi se Kosova është trajtuar në mënyrë të padrejtë ndërsa Serbia ka qenë në akomodim të vazhdueshëm.
“Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje, nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Por, kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk duhet të vetë-reflektojmë për rrugën e deritanishme dhe si mund të bëhen gjërat më mirë”, tha Osmani.
Duke folur në një seancë të bojkotuar nga dy prej tri partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës, presidentja e vendit tha se "aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.
Ajo bëri thirrje që Kosova t’i ruajë aleancat e saj, sepse ato, sipas saj, janë “gur themel i sukseseve tona dhe investim në të ardhmen tonë, ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komitetin euroatlantik të kombeve të lira”.
Osmani foli edhe për Asociacionin e Komunave Serbe, ndërsa tha se ka propozuar që drafti i tij, të diskutohet me SHBA-në, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as (emisarit të BE) “Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovë.”
“Më duhet të theksoj me keqardhje, që propozimet që shpesh kam bërë për përmirësimin e këtij procesi, janë ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulëta, që nuk i kanë hije askujt në Kosovë.
Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i Asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-të, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të Asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse, kam besuar se një draft-statut ku mbrohet kushtetuta, mbrohet sovraniteti, mbrohen kufijtë tanë dhe mbrohet funksionaliteti i shtetit, më mirë hartohet nga vetë ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa 'ekspertë të jashtëm', që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë”, tha Osmani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.