Politike

Osmani dhe Xhaçka mesazh BE-së: Kushtet janë përmbushur

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka vizituar për herë të parë Shqipërinë pas marrjes së detyrës vitin e kaluar, duke bërë thirrje për vazhdimin në rrugën e përbashkët të integrimit dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.

Në një deklaratë në shqip dhe maqedonisht, Osmani theksoi se të dyja vendet kanë përmbushur kushtet për anëtarësimin në BE dhe se janë në pritje për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare.

Osmani u shpreh se Shkupi ka pasur mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, duke theksuar se tashmë aspiratë e dy vendeve mbetet integrimi në Bahskimin Europian. Ai shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë, që është një prej shtyllave për stabilitetin e të gjithë rajonit për Ballkanin sipas Osmanit.

Osmani i ka prezantuar Xhaçkës një iniciativë të re për bashkëpunim 3-palësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, me shpresën se iniciativa mund të zbusë qëndrimin ndaj integrimit të Shkupit . "E ashtuquajtura iniciativa 8.  Është një iniciativë e mirë që duhet të rinovojë mbështetjen politike, për projektet e infrastrukturës përgjatë korridorit 8 europian duke lidhur kështu Lindjen dhe Perëndimin e Ballkanit nga Adriatiku në Detin e Zi. Të tre vendet, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bullgaria mund të gjejnë një forum të vlefshëm për promovimin e bashkëpunimit tre palësh duke intensifikuar shkëmbimin e përgjithshëm politik ekonomik të sigurisë, atë kulturor dhe shoqëror që do të forcojë besimin mes qytetarëve tanë”, deklaroi Osmani.

Xhaçka nga ana tjetër theksoi se faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka dhënë prej vitesh kontribut jetik në qeverisjen e vendit. Osmani dhe Xhaçka diskutuan edhe për forumin e Prespës për dialog, si një mënyrë promovimi të multikulturalizmit në rajon dhe procesit të pajtimit si një sfidë e rëndësishme për të gjithë vendet e Ballkanit. Po ashtu mes dy diplomatëve është nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e diasporës.

“Siç e dini, kjo është vizita e parë e një Ministri të Jashtëm që nga momenti që mora detyrën dhe jam e lumtur që pata nderin të mirëpres kolegun Osmani. Kjo jo vetëm për faktin që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë vërtet të shkëlqyera, por edhe për faktin që ka diçka speciale kur mund të bisedosh në shqip me një homologun tënd”, theksoi ministrja. Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendet tona po përballen, prej thuajse një viti me pandeminë COVID-19, me pasojat e kësaj pandemie, jo vetëm tek shëndeti i popujve tanë, por edhe tek sistemet shëndetësore dhe ekonomitë tona.  Por, krahas kësaj krize mbarë botërore që na ka prekur edhe ne, 2021 në fakt është edhe një moment shprese, sepse si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, presin të hedhin një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian”.

Si  Xhaçka ashtu edhe Osmani i dërguan një mesazh Bashkimit Europian, duke theksuar se integrimi i të dyja vendeve nuk mund të bllokohet për arsye subjektive të vendeve anëtare, duke iu referuar kështu vetos se Bullgarisë kundër nisjes së bisedimeve me Shkupin.

“Së pari, të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në Mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare. Së dyti, stabiliteti, siguria dhe zhvillimi i rajonit tonë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me perspektivën evropiane. Dhe këtu – e lashë për në fund sepse dua t’i jap peshën që i takon dhe vlerësimin tim maksimal – ka luajtur e luan një rol të jashtëzakonshëm faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që jo vetëm ka dhënë e jep një kontribut jetik në qeverisjen e vendit, jo vetëm ka luajtur një rol vendimtar në proceset euroatlantike, por është në fakt edhe një urë e fortë lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, përfundoi ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë