Nga Gazeta ‘Si’-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka diskutuar për propozimet, që sipas saj, ofrojnë “një zgjidhje të qëndrueshme për planin e trazicionit për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.
Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parashikon euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Në njoftimin për media të Presidencës së Kosovës, megjithatë nuk u bë e ditur se për çfarë propozimesh Osmani ka biseduar me Hovenierin gjatë takimit të tyre të rregullt.
“Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, Presidentja Osmani theksoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e SHBA-ve për sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar zbatimin e rregullores së BQK-së, duke thënë se ajo është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që mund të ketë te popullata serbe në Kosovë, e cila që nga paslufta ka përdorur dinarin serb.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




