Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovë mund të zgjidhet brenda vendit dhe se ajo nuk është dashur të shkaktonte përplasje mes Prishtinës dhe aleatëve të saj.
“Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë. Në fakt, nuk është dashur të bëhej çështje fare. Nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatët”, tha Osmani për media.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – që parashikon euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt.
Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar zbatimin e rregullores së BQK-së, duke thënë se ajo është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që mund të ketë te popullata serbe në Kosovë, e cila që nga paslufta ka përdorur dinarin serb.
Çështja e ndalimit të dinarit serb i ka tendosur marrëdhëniet mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së. Uashingtoni i ka kërkuar Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti ta shtyjë zbatimin e rregullores. Por, Kurti ka insistuar se kjo rregullore nuk do të zhbëhet.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka theksuar se çështja e dinarit veçse ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




